Iliria ka marrë një fitore me shumë vlerë në transfertë, duke mposhtur Sopotin me rezultatin 2-3 në Librazhd.

Një sukses i rëndësishëm për skuadrën nga Fushë-Kruja, e cila falë këtyre tri pikëve rikthehet sërish në krye të renditjes dhe konfirmon ambiciet për ngjitjen në Kategorinë Superiore.

Sfida nisi me gol për vendasit, teksa Troksi kaloi Sopotin në avantazh në minutën e 31-të. Por reagimi i Ilirisë ishte i menjëhershëm. Darnel Kithambo barazoi shifrat vetëm pesë minuta më vonë, ndërsa në minutën e 43-të ishte Selmani që përmbysi rezultatin, duke i dërguar miqtë në pushim në avantazh.

Në pjesën e dytë, Iliria vijoi të kërkonte golin dhe në minutën e 51-të Çuçka realizoi edhe golin e tretë, duke e çuar rezultatin në 1-3.

Sopoti nuk u dorëzua dhe arriti të rihapte takimin në minutën e 69-të, kur Lika shënoi për 2-3. Megjithatë, vendasit nuk arritën të gjenin golin e barazimit deri në përfundim të takimit.

Kështu, Iliria largohet nga Librazhdi me tri pikë të arta, duke festuar një fitore që e rikthen në vendin e parë dhe i jep një tjetër shtysë objektivit për t’u ngjitur në elitën e futbollit shqiptar.

SOPOTI 2-3 ILIRIA

31′ Troksi, 69′ Lika / 36′ Darnel Kithambo, 43′ Selmani, 51′ Çuçka

Top Channel