“Politika e Ukrainës, e njëjtë”/ Zelensky takim me Vuçiçin, s’ndryshon qëndrim: Nuk do ta njohim Kosovën

08/08/2026 17:56

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, teksa ka zhvilluar një vizitë në Beograd, ku u takua me homologun Serb, Aleksandër Vuçiç, nuk a ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës.

Kreu i Ukrainës ka deklaruar se nuk do ta njohin Kosovën, teksa qëndronte krah Vuçiçit.

“Qëndrimi për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, duke përfshirë, pa dyshim, Krimenë. Ky qëndrim i Serbisë nuk po ndryshon, madje as në OKB”, tha ai.

Volodymyr Zelensky vijoi më tej duke thënë se politika e Ukrainës ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar.

“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe respektojmë të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, qëndrimi ynë ndaj shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar. Ne gjithmonë e kemi theksuar këtë dhe politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar”, ka vijuar më tej Zelensky.

Ai falënderoi partnerët për respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, veçanërisht njohjen e tyre se Krimea i përket Ukrainës.

Top Channel