Paketa antidhunë/ Berisha: Kuvendi nuk mund të votojë aktin normativ pas vendimit të Kushtetueses, po cenoni pavarësinë e gjyqësorit
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit europian, duke theksuar se rajoni po hyn në një fazë të re të zgjerimit, me mundësi konkrete për avancimin drejt anëtarësimit në BE.
Në fjalën e saj në përmbyllje të ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, Kos u ndal veçanërisht te perspektiva e Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke deklaruar se viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse vendi vijon me zbatimin e reformave, veçanërisht në shtetin e së drejtës, drejtësi dhe mjedis.
“Ky moment është një moment i mirë për të zgjedhur Ballkanin Perëndimor për investimet tuaja. Natyrisht që në të gjithë rajonin po ndodhin zhvillime të rëndësishme, të cilat e bëjnë atë gjithnjë e më tërheqës për investuesit. Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë në BE, në vitin 2013, BE-ja po përgatitet që të mirëpresë anëtarë të rinj dhe dy vendet më të avancuara në këtë proces janë pikërisht nga Ballkani Perëndimor. Zoti Michel, keni të drejtë, ne do të zgjerohemi deri në vitin 2030 dhe, edhe një herë tjetër, kishit të drejtë.
Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave dhe mund të nënshkruajë Traktatin e Anëtarësimit që verën e ardhshme. Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse qeveria vijon të qëndrojë në rrugën e duhur për reformat, veçanërisht sa i përket shtetit të së drejtës, reformës zgjedhore dhe mjedisit.
Ne gjithashtu kemi parë edhe Maqedoninë e Veriut të përshpejtojë reformat në kuadër të Planit të Rritjes dhe të përmirësojë nivelin e përgatitjes për anëtarësimin në BE, ndërsa në Serbi, lëvizja studentore ka fituar zgjedhjet me thirrjet e saj për transparencë, shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.
Pikërisht këto janë reformat që qeveria e mëparshme ka premtuar prej vitesh, por që nuk i ka realizuar kurrë. Qeveria e ardhshme serbe mund ta ndryshojë këtë situatë. Pikërisht këto janë reformat që janë të rëndësishme në rajon, pasi kanë lidhje të drejtpërdrejtë me begatinë dhe prosperitetin ekonomik. Mungesa e transparencës dhe korrupsioni kanë koston e tyre. Kjo kosto paguhet nga sipërmarrësit, të cilët humbasin kontrata përballë konkurruesve me lidhje të forta politike. E paguajnë të rinjtë, të cilët nuk kanë mundësi nëse nuk kanë lidhjet e duhura, dhe e paguajnë tatimpaguesit, paratë e të cilëve përfundojnë në xhepat e individëve privatë”, tha Kos.
Top Channel