Lionel Messi po zgjeron investimet e tij në botën e futbollit dhe sërish ka kthyer vëmendjen nga Spanja. Ish-ylli i Barcelonës ka arritur një marrëveshje paraprake për të blerë klubin spanjoll Eldense, që militon në kategorinë e dytë dhe e ka selinë në zonën e Alicantes.

Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi për agjencinë AFP. Nëse marrëveshja finalizohet, kjo do të jetë eksperienca e dytë e Messit si pronar i një klubi futbolli në Spanjë, pas blerjes së Cornellà, klub i kategorisë së katërt, në prill të këtij viti.

“Eldense konfirmon se Lionel Messi ka arritur një marrëveshje paraprake me pronarët aktualë të klubit për blerjen e aksioneve të zotëruara nga Grupo TH Soluciones, një operacion që do ta bënte atë aksionarin shumicë të klubit”, bëri të ditur Eldense.

Megjithatë, marrëveshja nuk është finalizuar ende. Për përmbylljen e operacionit duhet të përfundojnë procedurat ligjore dhe kontraktuale, përfshirë procesin e verifikimit financiar dhe juridik, si dhe të merret autorizimi nga Këshilli Superior i Sportit të Spanjës.

E themeluar në vitin 1921, Eldense nuk ka bërë të ditura detajet financiare të marrëveshjes dhe as një datë të mundshme për përfundimin e saj.

Klubi ka deklaruar se, pas përfundimit të të gjitha procedurave dhe marrjes së autorizimeve të nevojshme, do të njoftojë zyrtarisht për çdo zhvillim të ri.

Messi, 39 vjeç, aktivizohet aktualisht me Inter Miami në Shtetet e Bashkuara, ndërsa investimet e tij në futboll po shtrihen gjithnjë e më shumë edhe në drejtim të pronësisë së klubeve.

Top Channel