Paris Saint Germain po përgatitet për sanksionet e UEFA-s për mosrespektim të rregullit të “Fair Play”-t financiar. Sipas asaj që publikohet nga “L’Equipe”, drejtuesit e klubit transalpin janë të bindur se qeveria europiane do të ndëshkojë kampionët e Francës, pas hetimit të kryer e që e nisën në fillim të këtij sezoni.

Gjithnjë sipas “L’Equipe”, te Paris Saint Germain ekziston frika se UEFA do të aplikojë mbi ta sanksione të ngjashme si ato të vitit 2014, kur ajo imponoi një limit për sa i përket nivelit të humbjeve të klubeve. Përpara 4 viteve, ky limit ishte 60 milionë euro dhe Paris SG e ka tejkaluar ndjeshëm në vitet e fundit.

Sipas të dhënave të “Transfermarkt”, në vitin 2015 deficiti mes blerjeve e shitjeve të lojtarëve të Parisit ishte 92.2 milionë euro; në 2016-n ishte 78.7 milionë euro; ndërsa në vitin 2017 ky deficit arriti deri në 144 milionë euro.

Vlen të theksohet se në këtë pikë nuk është përfshirë blerja e Mbappe, i cili erdhi nga Monaco në formë huazimi me detyrim blerje për 180 milionë euro. Tani, ajo që duhet parë është mënyra sesi do të interpretojë UEFA këtë operacion të fundit të PSG-së dhe nuk përjashtohet mundësia që të kufizojë edhe më shumë lëvizjet në merkato të transalpinëve.

Sipas asaj që u publikua të dielën e kaluar nga “Le Journal De Dimanche”, UEFA do të verifikojë llogaritë e PSG-së dhe vlerën reale të kontratave që klubi ka lidhur me qeverinë e Katarit, nëpërmjet “Qatar Tourism Authority”. Komisioni i Kontrollit Financiar të Klubeve në UEFA pritet të marrë vendimin për Parisin në fillim të muajit qershor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA