Napoli, frikë për Alisson Santos, i hyjnë grabitësit në shtëpi, i vjedhin edhe makinën
Katalanasit kërkojnë fitoren e dhjetë radhazi në kampionat, ndërsa Reali i José Mourinhos synon të shkurtojë diferencën dhe të godasë rivalin në shtëpinë e tij. Superpërballja luhet sonte në orën 21:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt e ekskluzivisht në DigitAlb.
Futbolli spanjoll ndalon sonte për 90 minuta, kur Barcelona dhe Real Madridi zbresin në fushë për El Clasicon e parë të sezonit. Në stadiumin “Spotify Camp Nou”, dy rivalët e përjetshëm përballen në javën e dhjetë të La Ligës, në një ndeshje ku përtej prestigjit dhe krenarisë, janë në lojë pikë me peshë të madhe për garën e titullit.
Barcelona vjen në këtë përballje në krye të renditjes, me 27 pikë të grumbulluara në nëntë javët e para, falë nëntë fitoreve radhazi. Skuadra e Hansi Flick ka treguar forcë në kampionat, por mbërrin në El Clasico pas një goditjeje në Ligën e Kampionëve, ku u mposht 4-2 nga Paris Saint-Germain. Për katalanasit, sfida e sotme është mundësia ideale për të reaguar përpara tifozëve të tyre dhe për të konfirmuar ambiciet për të mbrojtur kreun.
Situata e Real Madridit është ndryshe. Madrilenët renditen në vendin e tretë me 21 pikë, gjashtë më pak se rivali i tyre, dhe kanë nevojë për një rezultat pozitiv për të mos lejuar që diferenca të thellohet. Një fitore në transfertë do ta ngushtonte hendekun në vetëm tri pikë, ndërsa humbja do ta çonte Barcelonën në një distancë prej nëntë pikësh.
Skuadra e José Mourinhos vjen me moralin e rritur pas katër fitoreve radhazi në të gjitha kompeticionet. Në kampionat, Reali mposhti Villarrealin 1-0 dhe Sevillan 4-1, ndërsa në Champions triumfoi ndaj Romës dhe Leipzigut. Për trajnerin portugez, rikthimi në një prej skenave më të mëdha të futbollit spanjoll është një tjetër kapitull i rëndësishëm, në një sezon ku ai synon ta rikthejë Realin në majën e futbollit vendas.
Megjithatë, të dyja skuadrat kanë mungesa të rëndësishme. Barcelona pritet të vuajë mungesën e Dani Olmos, Andreas Christensenit, Eric Garcias dhe Roony Bardghjit, ndërsa Jules Koundé është gjithashtu jashtë planeve për këtë takim. Në krahun tjetër, Real Madridi nuk do të ketë Vinícius Júni orin, të pezulluar, si dhe Rodrygon, Ferland Mendyn dhe Raúl Asencion, të dëmtuar. Kështu, vëmendja do të jetë te Kylian Mbappé dhe Jude Bellingham për madrilenët, ndërsa Barcelona mbështetet te talenti i Lamine Yamalit, krijimtaria e Pedrit dhe rrezikshmëria e Raphinhas.
Historia e El Clasicos është e mbushur me përballje që kanë përcaktuar sezone, tituj dhe epoka. Në bilancin e ndeshjeve zyrtare mes dy gjigantëve, para këtij takimi, Barcelona dhe Real Madridi kanë nga 106 fitore, ndërsa 52 përballje janë mbyllur në barazim. Një ekuilibër që tregon më së miri rivalitetin mes dy klubeve.
Sonte, në orën 21:00, Camp Nou pritet të jetë skena e një tjetër spektakli, me Barcelonën që kërkon të shkëputet dhe Realin që synon të rikthejë garën në ekuilibër. El Clasico nuk është kurrë thjesht një ndeshje futbolli: është histori, rivalitet, emocione dhe një betejë ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.
Barcelona-Real Madrid, sonte në orën 21:00, drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në DigitAlb.
Top Channel