Maran për Gazzetta dello Sport: Jemi krenaria e popullit shqiptar. Nëse përplasemi me Italinë…
Barcelona ka nisur të shqyrtojë mundësitë për përforcimin e skuadrës në merkaton e janarit, ndërsa një nga prioritetet kryesore të drejtuesve katalanas është reparti i mbrojtjes.
Sipas mediave spanjolle, ideja e drejtorit sportiv Deco është afrimi i një qendërmbrojtësi, mundësisht më këmbën e majtë, me eksperiencë dhe cilësi të dëshmuara, që të ofrojë më shumë siguri në prapavijë për trajnerin Hansi Flick.
Megjithatë, nuk përjashtohet as mundësia e afrimit të një mbrojtësi të krahut, nëse në treg shfaqet një alternativë interesante dhe e përballueshme nga ana financiare.
Në listën e lojtarëve që përputhen me profilin e kërkuar nga Barcelona janë tre emra: Alessandro Bastoni i Interit, Nico Schlotterbeck i Borussia Dortmundit dhe Lisandro Martinez i Manchester United.
Bastoni – Një nga emrat më të pëlqyer nga drejtori sportiv i Barcelonës është Alessandro Bastoni. Deco kishte tentuar ta afronte qendërmbrojtësin italian edhe gjatë merkatos së verës dhe vazhdon ta mbështesë si një alternativë për prapavijën katalanase.
Sipas raportimeve, mes klubit dhe futbollistit kishte pasur edhe një marrëveshje për një kontratë deri në vitin 2031, por transferimi kërkonte miratimin e Hansi Flick. Trajneri gjerman në fund vendosi të mos e konkretizonte këtë lëvizje, duke preferuar të përqendrohej te afrime të tjera dhe një profil tjetër lojtari.
Megjithatë, Bastoni, 28 vjeç, mbetet i hapur për një transferim te Barcelona. Çmimi i tij mund të jetë rreth 40 milionë euro, duke qenë se kontrata me Interin përfundon pas rreth një viti e gjysmë.
Schlotterbeck – Një tjetër kandidat është Nico Schlotterbeck i Borussia Dortmundit. Qendërmbrojtësi 26-vjeçar është një futbollist që i përshtatet veçanërisht filozofisë së Flick, i cili e njeh mirë pasi e ka debutuar me përfaqësuesen e Gjermanisë.
Përveç aftësive në qendër të mbrojtjes, Schlotterbeck mund të luajë edhe në krahun e majtë, duke i dhënë trajnerit më shumë alternativa taktike.
Pengesa kryesore për këtë transferim mbetet kostoja. Pas rinovimit të kontratës sezonin e kaluar, pavarësisht ekzistencës së një klauzole largimi, operacioni për transferimin e tij mund të shkojë në rreth 60 milionë euro.
Lisandro Martinez – Alternativa e tretë është argjentinasi Lisandro Martinez, i cili mund të jetë një zgjidhje më ekonomike për katalanasit.
Mbrojtësi 28-vjeçar ka kontratë me Manchester United deri në vitin 2027, ndërsa klubi anglez ka mundësinë ta zgjasë atë edhe për një sezon tjetër, deri në vitin 2028.
Situata e tij në “Old Trafford” është disi e veçantë. Martinez konsiderohet një lojtar me peshë në dhomat e zhveshjes dhe në skuadër, por marrëdhënia e tij me klubin nuk është në momentin më të mirë.
Sipas asaj që raporton “Mundo Deportivo”, qendërmbrojtësi argjentinas do të ishte i gatshëm të dëgjonte një ofertë nga Barcelona. Afrimi i tij do të përputhej me kërkesat e drejtuesve katalanas, pasi është mbrojtës më këmbën e majtë dhe ka eksperiencën e nevojshme në nivele të larta.
Ndërkohë, dy emra të tjerë që më parë ishin përmendur si alternativa për Barcelonën, Lukeba i Leipzigut dhe Natan i Betisit, kanë humbur terren në garën për një vend në listën e dëshirave të klubit.
Deco po shqyrton disa mundësi për të përforcuar një repart që konsiderohet prioritet, veçanërisht pas dëmtimeve që kanë prekur skuadrën në fillim të sezonit. Në fund, faktori financiar do të jetë vendimtar për zgjedhjen e përforcimit të ri të Barcelonës.
Top Channel