Mbrojtësi i Manchester Cityt qëndron në këmbë për të dytën javë radhazi, ndërsa gjesti simbolik kundër diskriminimit vazhdon të ndajë opinionin në Angli.

Gjunjëzimi kundër racizmit po rikthen debatet në futbollin anglez. Marc Guehi, mbrojtësi i Manchester Cityt dhe i kombëtares së Anglisë, refuzoi për të dytën javë radhazi të merrte pjesë në këtë gjest simbolik, ndërsa iniciativa u prit me fishkëllima nga tifozët në “Stamford Bridge”, përpara ndeshjes mes Chelseat dhe Tottenhamit.

Guehi kishte shpjeguar më herët se gjunjëzimi mund ta ketë humbur kuptimin e tij fillestar. Në vend të tij, futbollisti zgjedh të qëndrojë në këmbë dhe të duartrokasë. Një qëndrim të ngjashëm kanë mbajtur edhe lojtarë të tjerë të Premier League, mes tyre Issa Diop, Dominic Calvert-Lewin, Ainsley Maitland-Niles, Rayan dhe Tyler Adams.

Gjesti u përhap në futbollin anglez në vitin 2020, pas vrasjes së George Floyd në SHBA, si simbol i luftës kundër racizmit dhe diskriminimit. Megjithatë, disa futbollistë vënë sot në pikëpyetje efektivitetin e tij, duke argumentuar se përsëritja e një veprimi simbolik nuk mjafton për të ndalur abuzimet raciste.

Nga ana tjetër, organizatat kundër diskriminimit vazhdojnë ta mbrojnë rëndësinë e kësaj nisme. Debati tashmë shkon përtej gjunjëzimit: çështja është se si futbolli mund ta kthejë mesazhin kundër racizmit në rezultate konkrete.

Top Channel