Chris Evans, Katy Perry, Demi Lovato e plot yje të tjerë të ekranit e “showbizz”-it i kanë ofruar mbështetjen e tyre një djali nga Tennessee, viktimë e bullizmit, pasi nëna e tij shpërndau në internet një video që të copëton zemrën, ku adoleshenti kërkon mes lotësh që torturuesit e tij ta linin të qetë.

“Nuk e kuptoj arsyen e këtyre veprimeve”, thotë Keaton Jones, ndërsa shpjegon i ngashëryer sesi e vënë në lojë për hundën e vet, e tallin duke e quajtur të shëmtuar, e në disa raste i kanë hedhur qumësht në fytyrë dhe e kanë qëlluar me bukë.

“Thjesht për kuriozitet, përse tallen? Cili është qëllimi i gjithë kësaj? Përse gjejnë kënaqësi duke u marrë me njerëz të pafajshëm, në një mënyrë të tillë që ata i lëndon? Nuk është aspak mirë”, tha djaloshi.

Mbështetja i erdhi shumë shpejt, e madje andej nga nuk e priste. Aktorë të “Hollywood”-it e këngëtarë të famshëm i përcollën mbështetjen e tyre, e disa e ftuan në turne dhe premiera filmash.

“Më konsidero që tani si mikun tënd”, i shkroi Justin Bieber në Instagram.

Donald Trump Junior ofroi gjithashtu “online” përkrahjen e vet për djaloshin, videoja e të cilit ka marrë shumë shpejt një numër marramendës klikimesh.

Bullizmi te fëmijët po kthehet në një problem shqetësues anembanë botës, pasi qëndrime të tilla agresive rrezikojnë të dëmtojnë rëndë psikikën e të miturve, e në disa raste i kanë shtyrë ata drejt vetëvrasjes.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel