Ftesë në 5/ Big Brother VIP Albania, rikthehen ethet e pritjes! Kush janë emrat që përfliten si banorët e ardhshëm të shtëpisë më të famshme në Shqipëri
Bukuria e femrave ruse, ukrainase dhe shqiptare, standardet estetike dhe ndikimi i kulturës e modës u diskutuan në emisionin “Ftesë në 5”.
Stilisti Ardi Borova, gazetari në Rusi Misha Pumo, dhe Oksana Subashi, agjente imobiliare ukrainase që jeton në Shqipëri, ndanë këndvështrimet e tyre mbi tiparet fizike dhe kulturore të grave nga vende të ndryshme.
Gjatë diskutimit u prezantua një renditje e vendeve që konsiderohen se kanë femrat më të bukura në botë. Në krye të saj renditej Rusia, e ndjekur nga Suedia dhe Ukraina. Në listë përfshiheshin gjithashtu Polonia, Kolumbia, Brazili, Çekia, Meksika dhe Italia.
Megjithatë, Ardi Borova vuri në dukje mungesën e Shqipërisë në këtë renditje, duke shprehur vlerësimin e tij për bukurinë e femrave shqiptare.
“Unë mendoj që këtu mungon një shtet jo më pak i rëndësishëm për mua se Ukraina, Shqipëria. Realisht femrat shqiptare janë të bukura, jo vetëm me shpirt, por edhe me pamje”, u shpreh stilisti.
Gazetari Misha Pumo, i cili tregoi se kishte shkuar për herë të parë në Rusi në vitin 1990, ndau përshtypjet e tij për bukurinë e grave ruse dhe ndryshimet që ka vënë re ndër vite. Sipas tij, eleganca, tiparet e fytyrës dhe kujdesi për trupin janë disa nga karakteristikat që dallojnë gratë e vendeve sllave.
“Bukuria është në sytë e shikuesit, por gjithsesi mund të veçoja elegancën, tiparet e fytyrës dhe mbajtjen e trupit gjatë jetës. Në përgjithësi, vajzat sllave, nuk do të veçoja vetëm rusët, ukrainaset apo bjelloruset, kujdesen shumë. Bëjnë gjimnastikë, sport dhe kujdesen për trupin e tyre. Ka edhe një aspekt tjetër, përveç kozmetikës, që po i shndërron femrat e botës në njerëz shumë të ngjashëm me njëra-tjetrën. Këto janë operacionet plastike. Është ana tjetër e medaljes, çmimi dhe haraçi për të qenë e bukur me çdo kusht. Nganjëherë në Rusi ekzagjerohet edhe me këtë aspekt”, u shpreh gazetari Pumo.
Pumo kujtoi se kur kishte vizituar Rusinë për herë të parë, kishte gjetur më shumë bukuri natyrale sesa sot.
“Unë në vitin 1990 kam shkuar dhe, sinqerisht, bukuria ka qenë më e pranishme sesa tani. Kanë qenë më natyrale, më bionde, më shumë me sy bojëqielli. Më pas ndryshoi shumëçka me ngjyrën e flokëve, kozmetikën dhe pigmentet e ndryshme”, tregoi ai.
Sipas stilisti Ardi Borova, në periudha të ndryshme, një karakteristikë e veçantë bëhet trend dhe kthehet në modelin që shumë gra dëshirojnë të ndjekin.
“Gjithmonë moda zgjedh një karakteristikë femërore. Në momente të caktuara promovohen vetullat e trasha, buzët me tul, tipare të caktuara të fytyrës. Parametrat nuk është se ndryshojnë, por ndryshon ajo që do të bëhet modeli i momentit, ajo që të gjithë do të preferojnë të kenë”, u shpreh Ardi.
Oksana Subashi, e cila foli për kulturën e kujdesit ndaj vetes në Ukrainë, theksoi se gratë nuk duhet ta lidhin kujdesin për trupin me statusin familjar apo me dëshirën për t’i pëlqyer partnerit.
“Ne jetojmë për veten. Trupi është i yni dhe duam të kujdesemi për të. Nuk po e bëj për bashkëshortin, nuk po kujdesem për dikë tjetër, po e bëj për veten. Kjo është zgjedhja jonë. Nuk ka rëndësi nëse je e martuar, nëse ke lindur apo sa vjeç je. Gruaja duhet të kujdeset për veten sepse kështu dëshiron ajo”, u shpreh Oksana.
Pumo u shpreh se gratë ruse dhe ukrainase janë të ftohta, duke theksuar se, sipas përvojës së tij, ato janë të ndjeshme dhe të interesuara për kulturën dhe artin.
“Rusët dhe ukrainasit janë shumë të ndjeshëm, nuk janë aspak të ftohtë. Kam pasur fatin dhe nderin të takohem si me rusë, ashtu edhe me ukrainase. Janë shumë të ndjeshme, bëjnë shumë për t’u zhvilluar nga ana mendore, lexojnë shumë. Nuk bëjnë vetëm gjimnastikë apo sport, por kujdesen edhe për zhvillimin e mendjes. Me një vajzë ruse apo sllave, biseda fillestare të paktën do të jetë më tepër rreth kulturës, rreth arteve dhe gjërave të bukura. Një person që dëshiron të njihet me një vajzë të tillë duhet të bëjë diçka për t’i pëlqyer. Edhe temat e bisedës janë më delikate, lidhen me kulturën dhe artin, ndoshta edhe me poezinë”, tregoi Misha.
Top Channel