Nga jashtë duket krejt normale, por shtëpia prej 800 mijë paund fsheh një sekret magjik pas derës së dhomës së ndenjjes  

05/11/2026 10:25

Një shtëpi që nga jashtë duket si një banesë e zakonshme viktoriane, fsheh brenda saj një surprizë të pazakontë, që duket sikur ka dalë drejtpërdrejt nga bota e Harry Potter.

Prona, e vendosur në Devereux Road, në Windsor të Berkshire, Angli, ka rikrijuar në mënyrë mahnitëse rrugicën e famshme Diagon Alley, zonën magjike të dyqaneve nga seria e librave dhe filmave të Harry Potter.

Pas një dere të zakonshme pranë bibliotekës dhe oxhakut në dhomën e ndenjjes, vizitorët zbulojnë një rrugicë të vogël magjike, e cila të çon drejt dhomës së ngrënies. Pronari i shtëpisë ka rikrijuar me kujdes disa prej dyqaneve më të njohura të botës së magjistarëve, përfshirë edhe dyqanin e famshëm të shkopinjve magjikë, Ollivanders. Ndërtesat e vogla, me pamje të shtrembëruar, ndriçohen nga fenerë antikë dhe zbukurohen me tabela që reklamojnë objekte dhe punime artizanale magjike.

Shtëpia është nxjerrë në shitje me një çmim fillestar prej 800 mijë paundësh, pasi më parë ishte reklamuar për 850 mijë paundë. Ajo ka një sipërfaqe prej rreth 130 metrash katrorë. Përveç surprizës magjike, prona përmban tre dhoma gjumi, një banjë, dy dhoma pritjeje dhe një dhomë në papafingo, e cila mund të shndërrohet në një dhomë të katërt gjumi, nëse merret leja përkatëse.

Banesa ruan gjithashtu karakteristikat tradicionale viktoriane, si dyshemetë prej druri, oxhaqet dekorative dhe raftet e integruara në mure. Jashtë saj ndodhet edhe një kopsht privat, i orientuar nga jugu. E pozicionuar në qendër të Windsor-it, shtëpia ndodhet pranë Kështjellës së Windsor-it, shëtitores së famshme Long Walk dhe dy stacioneve hekurudhore të qytetit.

Prona është hedhur në treg nga agjencia imobiliare Harding’s, ndërsa fotografitë e saj janë shpërndarë edhe nga faqja virale Housing Horrors, duke tërhequr vëmendjen e përdoruesve të rrjeteve sociale. Reagimet nuk kanë munguar. Një komentues shkroi se ishte magjepsur nga atmosfera fantastike e shtëpisë, ndërsa një tjetër bëri shaka duke pyetur se çfarë do të ndodhte nëse prindërit do të fillonin të ziheshin pikërisht në mes të Diagon Alley. Një shtëpi që dëshmon se ndonjëherë, pas një dere krejt të zakonshme, mund të fshihet një botë e tërë magjike.

 

Top Channel