Brigitte Bardot lë jashtë testamentit bashkëshortin/ Zbulohet letra e saj e shkruar para 4 vitesh: Më ke shkatërruar për 30 vjet

04/11/2026 19:44

Një letër private e Brigitte Bardot, e shkruar në vitin 2022, ka zbuluar pakënaqësinë e thellë të aktores franceze ndaj bashkëshortit të saj, Bernard d’Ormale.

“Për 30 vjet, më ke shkatërruar me durim, ditë pas dite”, i shkruante ajo, në një mesazh ku shprehte zhgënjimin për mungesën e dashurisë dhe mbështetjes gjatë martesës së tyre.

Aktorja nuk i la asgjë në testament bashkëshortit të saj prej 33 vitesh. Pas vdekjes së saj, në moshën 91-vjeçare, në dhjetor të vitit të kaluar, Bernard d’Ormale u detyrua të largohej nga vila La Madrague në Saint-Tropez.

Letra, e publikuar nga gazeta Le Figaro, përshkruan një marrëdhënie të mbushur me pakënaqësi. Në të, Bardot shkruante se kishte nevojë për një njeri që t’i ofronte butësi, mbështetje dhe të ndante me të gëzimet dhe dhimbjet e jetës.

Sipas The Times, në letër, aktorja shprehet: “Sot kam arritur limitin absolut të vuajtjes sime. Të dhashë gjithçka. Dashurinë time, nevojën time të brendshme për një shok që do të më kthente dashurinë, do të ndante gëzimin tim, dhimbjen time të madhe, që do të më shoqëronte në rrugën time të fundit në jetë, që do të ishte i lumtur me mua, duke pirë një kafe ose një gotë verë të kuqe, me miqtë, që do të më çonte për një udhëtim me makinë për të më larguar mendjen nga gjërat, që do të buzëqeshte për jetën që i ofroj. Duke buzëqeshur!”

Pavarësisht këtyre pakënaqësive, çifti vazhdoi të jetonte së bashku deri në vdekjen e saj. Madje, d’Ormale kishte deklaruar se gjatë shtrimit të aktores në spital kishte fjetur në një dyshek në dhomën e saj.

Publikimi i letrës ka shkaktuar reagimin e avokates së tij, Aurélie-Caroline Vieugué, e cila ka vënë në pikëpyetje autenticitetin e dokumentit.

“Klienti im është i shkatërruar nga kjo letër. Është jashtëzakonisht e dhunshme”, deklaroi ajo, duke shtuar se d’Ormale nuk kishte qenë kurrë në dijeni të ekzistencës së saj.

Avokatja ngriti gjithashtu dyshime, pasi sipas saj, Bardot zakonisht i nënshkruante letrat me një margaritë, ndërsa në këtë dokument mungon një shenjë e tillë. Megjithatë, ajo nuk e cilësoi letrën si të falsifikuar.

Përplasja është thelluar edhe për shkak të trashëgimisë. Sipas fondacionit të aktores, testamenti përcaktonte largimin e bashkëshortit nga vila La Madrague. Pjesën më të madhe të pasurisë Bardot ia la fondacionit të saj për mbrojtjen e kafshëve, ndërsa pjesën tjetër djalit të saj, Nicolas-Jacques Charrier.

D’Ormale e ka cilësuar largimin nga vila si të padrejtë, duke deklaruar: “Kam jetuar atje për 35 vjet dhe më kanë dëbuar.”

Ndërkohë, fondacioni pretendon se prona është në pronësi të organizatës që prej vitit 1992. D’Ormale, i cili ishte edhe kryetar i fondacionit për një periudhë më pak se njëvjeçare, u largua nga ky pozicion në shtator.

Historia e Brigitte Bardot, një prej ikonave më të njohura të kinemasë franceze, rikthehet kështu në qendër të vëmendjes për shkak të letrës së diskutueshme, testamentit dhe konfliktit për vilën ku ajo jetoi për dekada.

Top Channel