Korrupsion dhe manipulim votash/ Prokuroria serbe për Krimin e Organizuar hap dosje për kreun e BIA-s dhe ministrin e Drejtësisë, mbi 60 persona nën hetim

05/11/2026 20:07

Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar në Serbi (TOK) ka hapur dy çështje pas kallëzimeve penale të paraqitura nga avokati Ivan Ninić, të cilat lidhen me dyshime për kryerjen e veprave penale kundër të drejtave zgjedhore.

Në kuadër të këtyre procedurave, TOK i ka kërkuar Shërbimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar (SBPOK), në varësi të Ministrisë së Brendshme serbe, të verifikojë pretendimet e ngritura dhe të marrë në pyetje personat e kallëzuar.

Sipas RTS (Radio Televizioni i Serbisë), çështja e parë lidhet me drejtorin e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Vladimir Orlić, si dhe disa punonjës të këtij institucioni. Ata dyshohen për shpërdorim të detyrës zyrtare, shkelje të së drejtës së votës dhe detyrim me forcë.

Sipas njoftimit të prokurorisë, më 4 nëntor 2026, SBPOK-ut iu kërkua të mbledhë informacionet e nevojshme për të verifikuar pretendimet e kallëzimit penal dhe të marrë deklaratat e personave të përfshirë.

Çështja e dytë përfshin ministrin e Drejtësisë, Nenad Vujić, drejtorin e Administratës për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Mile Jandrić, këshilltaren speciale të ministrit, Milica Radonjić, si dhe më shumë se 60 persona të tjerë të identifikuar me emër.

Në mesin e personave të kallëzuar janë drejtues të institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe burgjeve të rretheve, punonjës të këtyre institucioneve, si dhe persona të paidentifikuar të përshkruar si zyrtarë të lartë, përfaqësues dhe aktivistë të Partisë Progresive Serbe (SNS).

Kallëzimi i dytë përfshin dyshime për organizim të një grupi me qëllim kryerjen e veprave penale, shpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, dhënie dhe marrje ryshfeti në lidhje me votimin, mbledhje të paautorizuar të të dhënave personale, neglizhencë në ushtrimin e detyrës, si dhe diskriminim racor dhe forma të tjera diskriminimi.

Edhe për këtë rast, më 4 nëntor, prokuroria i kërkoi SBPOK-ut të ndërmarrë veprimet e nevojshme policore, të mbledhë informacion nga personat e kallëzuar dhe të marrë deklarata edhe nga persona të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjet e përshkruara.

TOK bëri të ditur se të dyja çështjet janë regjistruar në përputhje me udhëzimin e përgjithshëm të detyrueshëm të Prokurorisë së Lartë Publike të Serbisë, të datës 20 tetor 2026, i cili përcakton mënyrën e veprimit të prokurorëve në rastet që lidhen me shkeljen e të drejtave zgjedhore.

Top Channel