Ftesë në 5/ Rusia kryeson renditjen e femrave më të bukura në botë, gazetari shqiptar: Janë më të ndjeshme, lexojnë shumë dhe kujdesen për veten
Një postim i moderatorit Ledion Liço në rrjetet sociale, me fjalinë “Thonë se ju ka marrë malli”, ka mjaftuar për të ndezur edhe më shumë kureshtjen e fansave rreth edicionit të ri të Big Brother VIP Albania.
Mesazhi është interpretuar si një sinjal se përgatitjet për sezonin e ri mund të jenë duke marrë formë, megjithatë ende nuk ka një datë zyrtare të konfirmuar për nisjen e spektaklit.
Për këtë temë u diskutua edhe në në pjesën e dytë të emisionit “Ftesë në 5”, me moderatoren Bieta Sulo, ku të ftuarit ndanë pritshmëritë e tyre, hamendësimet për emrat që mund të bëhen pjesë e shtëpisë dhe disa ide për mënyrën se si mund të vijë ky edicion.
Mes diskutimeve, Ardi Borova hodhi një ide interesante për mënyrën se si spektakli mund të ndërveprojë këtë sezon me publikun.
“Do më pëlqente fakti se si sivjet mënyra e të qenurit nga televizioni brenda familjes ndoshta mund të qaset në një mënyrë tjetër, jo vetëm me personazhe, por edhe me ndonjë surprise. Je duke parë Bigun, të bie dera, hapet dera, të vjen kamera e Topit dhe të thotë: Çfarë je tu pa Bigun?”, u shpreh Ardi.
Një ide që shkaktoi të qeshura në studio, ndërsa u diskutua edhe mundësia që surprizat të shtrihen në ambiente publike, si restorantet, ku njerëzit mund të përjetojnë një moment të papritur të lidhur me spektaklin.
Në studio u komentua gjithashtu mundësia e rikthimit të Arbër Hajdarit në rolin e opinionistit. Madje, gjatë bisedës u përmend edhe fakti se ai është ngacmuar nga vetë Ledioni për këtë çështje.
“Kam dëgjuar një thashethem që po më thonë se mund të jem edhe unë pjesë e Big Brother”, u shpreh njëri prej të pranishmëve, duke treguar se zërat për pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët e këtij edicioni kanë nisur të qarkullojnë.
Megjithatë, diskutimi në studio u përqendrua te fakti se Arbër Hajdari duket se është një nga figurat që publiku do të dëshironte ta shihte sërish në karrigen e opinionistit.
Pjesa më interesante e bisedës erdhi kur në studio u prezantua një listë me emra që kanë qarkulluar në rrjetet sociale si kandidatë të mundshëm për t’u bërë pjesë e shtëpisë.
Në listën e përmendur ishin: Bujar Qamili, Mira Konçi, Robert Berisha, Viola Spiro, Deta Kokomani, Fero.
E pyetur se cilët prej tyre do të ishin më interesantë për këtë format, Desjana Rapaj veçoi dy emra.
“Më interesantë për mendimin tim do të ishin Fero dhe Bujari. Bujar Qamili po dhe po, por dhe Fero do ishte një prurje e mirë.”, u shpreh ajo.
Një nga momentet më pikante të diskutimit ishte ai për Robert Berishën.
“Te Roberti nuk po futem shumë, se Roberti është vetëm si të bëj si i bukur ashtu. Hajde, mirupafshim!”, u shpreh Desjana.
Biseda vijoi me komente për pamjen e jashtme të këngëtarit, duke sjellë edhe një batutë që shkaktoi të qeshura:
“Gjyshja ime më ka thënë: Bashkëshorti duhet të jetë pak më i bukur se majmuni”.
Një prej opinioneve më të forta në studio ishte ai se pjesa më e madhe e personazheve të përmendur mund të mos arrijnë të rezistojnë gjatë në shtëpinë e Big Brother.
“Unë do të thoja kështu: 80% prej atyre dalin javën e parë, maksimumi të dytën, mos më bëj të vendos gishtat. Bujari nuk e mban atë izolimin. Kur hyn brenda ka një tjetër atmosferë aty.”, u shpreh Ardi.
Ndërsa për Mira Konçin u diskutua se mosha dhe angazhimet familjare mund ta bënin më të vështirë përballimin e një eksperience të tillë.
Megjithatë, ky mendim u kundërshtua nga të tjerë në studio, të cilët theksuan se mosha nuk duhet të jetë domosdoshmërish një pengesë për të qenë pjesë e formatit.
“Po pse moshën e shihni? Mund të varet nga aftësia, nga ambicia, nga tipi, çfarë karakteri ke?”, ishte kundërargumenti nga Oksana.
Dy emra të tjerë që u komentuan ishin Viola Spiro dhe Deta Kokomani.
Për to u diskutua kryesisht dinamika që mund të krijohej nëse dy personazhe me profile të ndryshme do të përballeshin me të njëjtën eksperiencë.
Nga ana tjetër, u theksua se pjesëmarrja në Big Brother është një eksperiencë e veçantë televizive, që mund të sjellë mundësi të reja për personazhet që vendosin të bëhen pjesë e saj.
Në studio u shpreh dëshira për të parë një grua me eksperiencë jetësore, të realizuar dhe me një histori që mund të shërbejë si frymëzim për të tjerat.
“Do të doja që të ishte ndonjë femër që të tregojë, të motivojë, të ketë një eksperiencë në jetë pozitive për të motivuar sa më shumë femrat”, u shpreh një prej të ftuarave.
Ajo shtoi se shumë gra kanë nevojë për mbështetje emocionale dhe mesazhe pozitive, sidomos në një kohë kur rrjetet sociale krijojnë shpesh pritshmëri të larta dhe jo gjithmonë realiste për jetën e përditshme.
Ndërsa emrat vazhdojnë të përfliten dhe rrjetet sociale janë kthyer në një hapësirë spekulimesh, mbetet për t’u parë se cilat nga këto hamendësime do të rezultojnë të vërteta.
Top Channel