“Mirënjohje” Ferit Ketës. Veliaj nderon kampionin e boksit

24/11/2017 15:44

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nderoi me medaljen e “Mirënjohjes” boksierin Ferit Keta.

“Kjo është një medalje që e japim për të gjithë ata që i sjellin nder qytetit tonë. Ti na ke sjellë shumë nder, jo vetëm që ke dalë kampion në Gjermani, por e ke bërë këtë me flamurin shqiptar. E di që është shumë kollaj, e ndonjëherë ka sportistë që tundohen dhe thonë: meqë unë vij nga një vend modest, me një shtet jo shumë të fortë, po e lë vendin tim sepse po më ofron diçka më shumë ky vendi tjetër. Por, ajo që kam kuptuar nga ty është se një sportist i vërtetë, një kampion i vërtetë, nuk bën tender për atdheun, sepse atdhe ka atë që ka dhe ndihet krenar”, tha Veliaj në dorëzimin e medaljes.

Keta është kampioni i saposhapllur i Gjermanisë në boks, ndërkohë që mban edhe titullin kampion Europe në kickboks.

“Ne të falenderojmë shumë për nderin që na ke sjellë, jo vetëm si shqiptar, por edhe si dikush që këtu në Tiranë drejton një sipërmarrje fantastike sportive të familjes Keta. Kështu që, edhe për çmimin, edhe për krenarinë, por edhe për punën fantastike, të jam shumë mirënjohës dhe ta jap këtë në emër të qytetit të Tiranës”, deklaroi më tej Erion Veliaj.

Ndërkohë, trajneri i tij Ismail Keta i dhuroi kryebashkiakut Veliaj dorezat e boksit, që Ferit Keta përdori në ndeshjen ku u shpall kampion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA