25 mijë euro vetëm pishina/ Email-et dhe dokumentet në dosje, SPAK ia atribuon vilën Belinda Ballukut. Heshtin “Atelier 4” dhe “Green Coast”

14/09/2026 15:17

Pishinë “infinity” me pamje nga deti, hidromasazh i konceptuar sipas një hoteli në Santorini, dru “teak” për një atmosferë “si në jaht”, palestër, sauna dhe banjo turke.

Vila 188/1 në “Green Coast”, e cila në komunikimet e administruara nga SPAK identifikohet edhe si “Vila 2” dhe që Prokuroria e Posaçme, bazuar në provat e dosjes hetimore, ia atribuon si pasuri faktike Belinda Ballukut.

Në një prej emaileve të administruara nga SPAK, arkitekti Alban Efthimiu i dërgon Ballukut në adresën e saj personale një variant të rishikuar të projektit, duke diskutuar edhe detaje të luksit të vilës.

Por, përtej projektit, materialeve dhe kostove, një pyetje mbetet thelbësore: kujt i përkiste në të vërtetë Vila 188/1?

Top Channel kontaktoi arkitektin Alban Efthimiu për të marrë një qëndrim mbi emailet e shkëmbyera me Belinda Ballukun, të cilat janë pjesë e dosjes së SPAK dhe rolin e tij në projekt. Përgjigjja e tij ishte e shkurtër:

“Përshëndetje! Më vjen keq, por jam i rezervuar gjithmonë. Me respekt.”

Edhe nga “Green Coast”, përmes Balfin Grup, ku Top Channel kërkoi informacion mbi këtë çështje, nuk erdhi një përgjigje konkrete se kush ishte klienti, siç i referoheshin kompania ndërtuese dhe studioja Atellier 4 në emailet e dosjes së SPAK.

Kompania deklaroi për Top Channel se nuk mund të komentojë një çështje nën hetim, edhe pse në dokumentet e publikuara nga dosja e SPAK, Efthimiu i është drejtuar direkt Ballukut për arredimin e vilës.

“Green Coast nuk mund të komentojë mbi një çështje që aktualisht është nën hetim. Kompania ka vepruar gjithnjë në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe mbetet e hapur dhe e gatshme të bashkëpunojë me çdo institucion publik kompetent…”, deklaroi kompania.

Ndërkohë, në dosjen hetimore të SPAK, emri i Ballukut shfaqet në disa prej komunikimeve për vilën. Në një tjetër dokument, për punimet e pishinës, gjendet shënimi “PISHINA ARBER ABAZI (DHERMI) + BELINDA”, me një vlerë prej 25 mijë eurosh.

SPAK vlerëson se këto të dhëna, të marra së bashku me provat e tjera të administruara gjatë hetimit, mbështesin dyshimin se vila ishte pasuri faktike e Belinda Ballukut, ndërsa dokumentacioni i pronësisë ishte krijuar në emër të Igli Tares.

Më 9 shtator, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për vendosjen e sekuestros preventive mbi këtë pasuri.

Ndërkohë, edhe pse është shtuar akuza për korrupsion, SPAK nuk ka ende një vendimmarrje nëse do t’i drejtohet ose jo Parlamentit për të autorizuar një masë të re sigurimi për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.

Pas publikimit të fakteve të reja, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka akuzuar SPAK për standard të dyfishtë, sepse u kërkua autorizim për arrestim kur akuza ishte për shkelje të barazisë në tendera dhe nuk po kërkon një masë të re në rrethanat e tanishme të akuzës për korrupsion.

 

Top Channel