Gian Piero Gasperini ka bërë një deklaratë të veçantë për mbrojtësin argjentinas Leonardo Balerdi, duke e lidhur mënyrën e tij të interpretimit të rolit me një prej legjendave më të mëdha të futbollit italian.

Trajneri italian u pyet se me cilin mbrojtës e lidh Balerdi-n dhe, edhe pse shmangu një krahasim të drejtpërdrejtë, përmendi menjëherë Franco Baresin, kapitenin legjendar të Milanit dhe një prej mbrojtësve më të mëdhenj të historisë së futbollit.

“Me kë më kujton? Është një mbrojtës i fortë, shumë i fortë, modern, fizikisht i fuqishëm dhe i shpejtë. Tani nuk mund t’i lejoj vetes të përmend disa emra…”, u shpreh Gasperini. Më pas, trajneri italian ndaloi te Baresi, duke e cilësuar atë si referencën absolute për pozicionin e qendërmbrojtësit.

“Referenca absolute për pozicionin e qendërmbrojtësit ishte padyshim Baresi. Pa dashur ta krahasoj me të, për mënyrën se si interpretonte pozicionin, agresivitetin, shpejtësinë në rikuperimet defensive dhe pjesëmarrjen në lojë, Baresi ishte numri një absolut dhe askush nuk mund t’i afrohet”, deklaroi Gasperini.

Megjithatë, tekniku italian sqaroi se Balerdi nuk duhet vendosur në të njëjtin nivel me legjendën e Milanit, por se karakteristikat e lojës së argjentinasit kanë disa pika të përbashkëta me atë profil mbrojtësi. “Por sa i përket karakteristikave, Balerdi është një mbrojtës që zotëron këtë lloj cilësish”, përfundoi Gasperini.

Një vlerësim i rëndësishëm për mbrojtësin argjentinas, veçanërisht duke pasur parasysh se vjen nga një trajner si Gasperini, i cili i kushton rëndësi të veçantë agresivitetit, shpejtësisë dhe aftësisë së qendërmbrojtësve për të marrë pjesë aktive në ndërtimin e lojës.

Top Channel