Në fitoren 6-1 të Barcelonës ndaj Celta Vigos, Leo Messi dhe Luis Suarez ekzekutuan një 11-metërsh që do të hyjë në histori dhe që po bën xhiron e botës.
Në vend që të godiste direkt, argjentinasi e pasoi topin lehtë tek uruguajani, i cili erdhi me shpejtësi nga mbrapa duke shënuar.
Ky ekzekutim i rrallë të kujton atë të Johan Cruyff, në kohën kur luante për Ajaxin. Ndryshe nga Messi, Cruyff pasoi topin tek Olsen dhe ky i fundit ia ktheu sërish Cruyffit, i cili shënonte me portën e boshatisur.
Gjithsesi, edhe pse mban emrin e holandezit, kjo formë goditjeje e 11-metërshit është provuar edhe më parë. Në ndeshjet eliminatore të Botërorit të Suedisë në vitin 1957, belgu Rik Kopens shënon në këtë formë ndaj Islandës me kombinimin me Andre Piters.
Ndërkohë që nuk mungojnë edhe figurat qesharake në tentativa të tilla dhe për këtë mjafton të rikthehesh në vitin 2005 për të parë dështimin e dy francezëve të Arsenalit, Henri dhe Pires.
Për shumë persona, kjo mënyrë e shënimit të penalltisë ishte një gjest befasues dhe një homazh për Cruyff, ndërsa nga shumë të tjerë u konsiderua një mungesë respekti për skuadrën kundërshtare. Kjo teori e dytë u refuzua menjëherë nga vetë trajneri i Celta Vigos, Eduardo Berizo, i cili tha kjo mënyrë ekzekutimi ishte brenda rregullave të lojës së futbollit.
“Sulmuesit e Barcelonës janë vrasës në lojën e tyre. Ata luajnë njësoj ndaj çdo skuadre dhe nuk tregojnë asnjëherë mungesë respekti ndaj kundërshtarëve. Penalltia u ekzekutua sipas rregullave të futbollit. Sasia e golave na lëndon më shumë se mënyra e shënimit të tyre”, tha Berizo.
Barcelona i shënoi 4 nga 6 golat e saj në 15 minutat e fundit të ndeshjes dhe Celta ka meritën që i hapi jo pak probleme skuadrës katalanase për më shumë se 60 minuta lojë. Sipas Berizos, talenti i futbollistëve të kësaj skuadre iu imponua lojës së Celtës në pjesën e dytë, duke bërë që rezultati të ishte tenistik për ta.
Top Channel