Kina prezantoi publikisht austronauten e parë femër, e cila ditën e shtunë pritet të shndërrohet në kinezen e parë që arrin të prekë hapësirën.
33-vjeçarja Liu Yang, gjithashtu një pilote ushtarake, do t’i bashkohet dy kolegëve të saj në bordin e anijes hapësinore “Shenzou 9”, lajmëroi Agjensia Shtetërore e Lajmeve, “Xinhua”.
Misioni i treshes do të ketë për detyrë të fiksojë një platformë në një stacion hapësinor kinez, që vendi synon ta përdorë si bazë në misionet e ardhshme jashtë Tokës.
Liu, e cila menjëherë ka nisur të konsiderohet si një heroinë kombëtare, do të përbushë misionin së bashku me austronautët Jing Haipeng dhe Liu Wang.
”Që prej ditës së parë më është thënë që nuk kam asnjë ndryshim nga austronautët meshkuj”, deklaroi Liu, në konferencën për shtyp përpara lëshimit në hapësirë.
”Unë besoj se thelbi i suksesit është këmbëngulja. Me këmbëngulje suksesi përpara nesh është i sigurt”, shtoi austronautja.
Xinhua, në një jetëshkrim të 33-vjeçares, bëri me dije se ajo u rekrutua në Ushtrinë Popullore Kineze si një pilote në vitin 1997, përpara se të shndërrohej në një austronaute në maj 2010.
Top Channel