Jay-Z do të performojë në skenën e Super Bowl 2027, mund të surprizojë me praninë e Beyoncé
Industria muzikore ka dëshmuar ndër vite se provokimi dhe sensualiteti mund të kthehen në një strategji që tërheq vëmendjen e publikut. Nga lëvizjet e guximshme në skenë te skenat me përmbajtje të theksuar seksuale, disa prej performancave më të famshme të yjeve të muzikës kanë shkaktuar reagime të forta dhe kanë bërë xhiron e botës.
Së fundmi, reperi Pitbull, 45 vjeç, ka zbuluar të vërtetën për një moment që bëri bujë në internet gjatë performancës së tij me Jennifer Lopez, 15 vite më parë.
Në vitin 2011, dy artistët interpretuan hitin e tyre “On The Floor” në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “American Music Awards”. Në atë kohë, fansat vunë re një detaj të pazakontë në pantallonat e reperit, i cili kërceu krah këngëtares së famshme.
Gjatë një sesioni pyetje-përgjigjesh në aktivitetin “Billboard Latin Music Week”, në Miami, Pitbull shpjegoi se çfarë kishte ndodhur.
“Është një histori interesante. Ekziston një fotografi e imja me Jennifer-in gjatë një ceremonie çmimesh. Gjatë provave, Jennifer nuk bëri një lëvizje të caktuar që e bëri kur nisi spektakli. Kur e bëri atë lëvizje, u emocionova”, tregoi reperi, duke sqaruar kështu momentin që kishte ngjallur kureshtjen e fansave.
Por ky nuk është i vetmi spektakël që ka shkaktuar reagime të forta. Ja disa nga performancat më provokuese në historinë e muzikës.
Miley Cyrus dhe Robin Thicke, performanca që shkaktoi stuhi reagimesh
Kur Miley Cyrus po largohej nga imazhi i yllit të Disney-t, Hannah Montana, për t’u shndërruar në një artiste të pavarur të muzikës pop, ajo ndërmori një ndryshim të dukshëm në stilin dhe paraqitjen e saj publike.
Momenti që shkaktoi më shumë polemika erdhi në vitin 2013, gjatë ceremonisë “MTV Video Music Awards”, ku ajo performoi me Robin Thicke këngët “We Can’t Stop” dhe “Blurred Lines”.
Performanca përfshinte arushë pelushi, lëvizje provokuese dhe përdorimin e një gishti gjigant prej shkume, duke shkaktuar reagime të shumta. Këngëtarja u përball me kritika të forta, përfshirë edhe ato të organizatës amerikane Parents Television Council, e cila shprehu shqetësim për përmbajtjen e spektaklit dhe përshtatshmërinë e tij për audiencën e re.
Cardi B dhe Megan Thee Stallion, skena që ndau publikun
Kur kënga WAP u publikua në vitin 2020, ajo u kthye menjëherë në një nga hitet më të diskutuara të vitit. Polemikat vazhduan edhe gjatë performancës së Cardi B dhe Megan Thee Stallion në ceremoninë Grammy të vitit 2021.
Përpara spektaklit, prezantuesi Trevor Noah bëri edhe një koment ironik për përmbajtjen e këngës, duke sugjeruar se prindërit mund t’u thoshin fëmijëve se ajo kishte të bënte me larjen e një maceje.
Cardi B u shfaq në skenë me një veshje dy-pjesëshe ngjyrë vjollcë neoni, ndërsa kërceu pranë një shtylle. Më pas, asaj iu bashkua Megan Thee Stallion, e veshur me një kostum të ngushtë në të njëjtën ngjyrë.
Kulmi i performancës erdhi kur dy artistet u shfaqën mbi një shtrat gjigant, duke realizuar një koreografi të mbushur me lëvizje provokuese. Spektakli shkaktoi reagime të ndara. Disa e vlerësuan si një shprehje të lirisë artistike, ndërsa të tjerë e konsideruan të papërshtatshëm për një ceremoni që mund të ndiqej edhe nga fëmijët.
Prince dhe skena e frymëzuar nga orgjitë e Romës së lashtë
Edhe legjenda e muzikës Prince, i cili ndërroi jetë në vitin 2016, tronditi publikun me performancën e tij në ceremoninë “MTV Video Music Awards” të vitit 1991. Skenografia ishte frymëzuar nga festat e shfrenuara të Romës së lashtë, me rreth 20 valltarë dhe pjesëmarrës që lëviznin në skenë.
Gjatë interpretimit të këngës Gett Off, Prince u shfaq me një kostum të guximshëm, të krijuar me prerje të shumta që krijonin iluzionin e ekspozimit të trupit. Veshja, e realizuar nga stilistja e tij Stacia Lang, përdorte materiale të tejdukshme për të krijuar efektin vizual që tërhoqi vëmendjen e publikut.
Gazeta “Chicago Tribune” komentoi se kamerat dukej sikur ndiheshin në siklet, duke ndryshuar vazhdimisht pamjet për të shmangur skenat më provokuese.
Megjithatë, stilistja shpjegoi më vonë se veshja nuk ekspozonte aq shumë sa dukej. Ajo kishte përdorur një material të hollë, të ngjashëm me rrjetën, për të krijuar iluzionin e zhveshjes.
Rihanna dhe Drake, koreografi që ndezi skenën e Brit Awards
Në ceremoninë Brit Awards të vitit 2016, Rihanna surprizoi publikun duke ftuar reperin kanadez, Drake, në skenë për të interpretuar së bashku hitin e tyre. Këngëtarja u shfaq me pantallona të bardha me thekë dhe syze dielli, ndërsa ndriçimi i kuq dhe blu krijonte atmosferën e spektaklit.
Më pas, në skenë u bashkuan valltarë që realizuan lëvizje energjike, përpara se Drake të shfaqej për pjesën e tij të këngës. Koreografia përfshinte lëvizje sensuale, mes tyre edhe stilin e njohur të vallëzimit “dutty wine”, duke tërhequr vëmendjen e publikut.
Sabrina Carpenter, 825 ankesa pas performancës në Brit Awards
Edhe këngëtarja Sabrina Carpenter shkaktoi polemika me performancën e saj në ceremoninë Brit Awards të vitit 2025. Artistja u shfaq me një veshje të kuqe me shkëlqim, në stilin e të brendshmeve, të kombinuara me çorape të gjata dhe mbajtëse çorapesh.
Gjatë spektaklit, ajo realizoi një skenë provokuese me një valltar të veshur si ushtar, ndërsa një pjesë e koreografisë u zhvillua pranë një shtrati në formë zemre.
Performanca u transmetua drejtpërdrejt nga televizioni britanik ITV dhe shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale. Disa shikues e konsideruan spektaklin të papërshtatshëm për orarin e transmetimit.
Sipas raportimeve të BBC-së, ceremonia shkaktoi gjithsej 825 ankesa pranë autoritetit britanik të medias, Ofcom, ku shumica lidhej me performancën hapëse të Sabrina Carpenter.
Madonna, performanca që rrezikoi ta vinte në telashe me policinë
Madonna ka qenë prej dekadash një nga artistet që kanë sfiduar kufijtë e shprehjes seksuale në muzikën pop.
Përveç puthjes së famshme me Britney Spears dhe Christina Aguilera në ceremoninë MTV Video Music Awards të vitit 2003, një nga momentet më të përfolura të karrierës së saj mbetet performanca e këngës “Like a Virgin” gjatë turneut “Blond Ambition”, në vitin 1990.
Gjatë koncertit në Kanada, këngëtarja simuloi akte seksuale në skenë, duke shkaktuar reagime të forta. Sipas raportimeve të kohës, policia kanadeze kërcënoi me arrestimin e saj për shkak të performancës. Megjithatë, Madonna nuk u tërhoq dhe spektakli vazhdoi pa ndryshime në koreografi.
Adam Lambert, puthja me muzikantin që shkaktoi polemika
Në vitin 2009, Adam Lambert u ngjit në skenën e American Music Awards për të interpretuar këngën “For Your Entertainment”, në një performancë që shkaktoi shumë reagime.
Këngëtari, i cili ishte bërë i njohur pas pjesëmarrjes në sezonin e tetë të American Idol, përfshiu në spektakël skena provokuese, duke tërhequr një valltar me zinxhir dhe duke afruar një tjetër pranë trupit të tij. Ai gjithashtu puthi në buzë muzikantin që luante në tastierë.
Performanca shkaktoi reagime nga publiku dhe nga organizata Parents Television Council, e cila raportoi se kishte marrë më shumë se 1.500 ankesa për spektaklin e transmetuar nga televizioni ABC.
Lambert mbrojti zgjedhjen e tij artistike, duke theksuar se këngëtaret femra kishin sfiduar prej vitesh normat e seksualitetit në skenë, ndërsa një performancë e ngjashme nga një artist mashkull shkaktonte reagime shumë më të forta.
“Qëllimi im nuk ishte të zemëroja njerëzit, por të promovoj lirinë e shprehjes dhe lirinë artistike”, deklaroi ai pas ceremonisë.
Nga Madonna te Prince, e deri te yjet e brezit të ri, këto performanca tregojnë se kufiri mes artit, provokimit dhe asaj që publiku e konsideron të pranueshme ka qenë vazhdimisht objekt debati në industrinë muzikore.
Top Channel