Taylor Swift hyn në Sallën e Famës së Këngëtarëve të Nashville-t, artistja vlerëson qytetin që hodhi themelet e karrierës së saj

27/10/2026 22:55

Këngëtarja amerikane Taylor Swift ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në karrierën e saj, duke u pranuar zyrtarisht në Sallën e Famës së Këngëtarëve të Nashville-t.

Artistja 36-vjeçare, fituese e 14 çmimeve Grammy, shprehu mirënjohjen për qytetin që hodhi themelet e rrugëtimit të saj muzikor.

Ceremonia e pranimit u mbajt të hënën, më 26 tetor, në Qendrën e Qytetit të Muzikës në Nashville, ku Swift vlerësoi ndikimin që komuniteti muzikor i këtij qyteti ka pasur në formimin e saj artistik dhe krijues.

Gjatë fjalimit të saj, këngëtarja theksoi rëndësinë e kompozitorëve që e kanë shoqëruar dhe frymëzuar gjatë viteve të para të karrierës, duke i cilësuar ata si njerëz që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen dhe zhvillimin e saj.

“Një gjë që kam mësuar është se kompozitorët, pavarësisht aftësisë së tyre pothuajse mbinjerëzore për të kuptuar dhe interpretuar natyrën njerëzore dhe nivelit të lartë të empatisë, janë gjithashtu njerëz të zakonshëm. Në shumë mënyra, ata më kanë rritur dhe më kanë udhëhequr gjatë viteve formuese të jetës sime”, u shpreh Swift.

Artistja foli gjithashtu për mundësitë që i janë krijuar falë përvojës së saj në Nashville, qytet që shënoi fillimin e karrierës së saj muzikore dhe i dha mundësinë të eksploronte zhanre të ndryshme, të udhëtonte në mbarë botën dhe të bashkëpunonte me kompozitorë të shumtë.

Sipas saj, fleksibiliteti që ka fituar në procesin krijues është rezultat i parimeve dhe bazave muzikore që mësoi në Nashville.

“E vetmja arsye pse kam arritur të kem një fleksibilitet të tillë në procesin tim krijues janë parimet dhe themelet që mësova këtu në Nashville. Nuk e harroj këtë për asnjë sekondë”, deklaroi këngëtarja.

Swift u shpreh se e konsideron këtë vlerësim një nder të veçantë dhe se do ta ruajë gjithmonë në zemër lidhjen me qytetin që ndihmoi në formimin e identitetit të saj artistik.

“E kuptoj sa e pabesueshme është kjo dhe do ta mbaj përgjithmonë në zemrën time, sepse Nashville është vendi që kultivoi dhe përsosi këtë pjesë të vetes dhe të jetës sime, për të cilën ndiej krenarinë dhe pasionin më të madh”, përfundoi ajo.

Pranimi i Taylor Swift në Sallën e Famës së Këngëtarëve të Nashville-t u njoftua më 11 gusht nga Mark Ford, drejtor ekzekutiv i fondacionit që administron institucionin.

Me këtë vlerësim, Swift bëhet kompozitorja më e re e përfshirë në këtë institucion për vitin 2026, në kategorinë e kompozitorëve dhe artistëve bashkëkohorë me një karrierë 20-vjeçare.

Top Channel