Barcelona nën presion për merkaton e yjeve, operacionet Rodri dhe Alvarez po vështirësohen më shumë seç duhet
Ferran Torres është pranë nisjes së një aventure të re në karrierën e tij. Barcelona dhe Paris Saint-Germain kanë arritur marrëveshjen për transferimin e sulmuesit spanjoll për një shumë prej afro 50 milionë eurosh, pa përfshirë bonuse.
PSG pritet ta zyrtarizojë transferimin gjatë këtij fundjave, pasi 26-vjeçari të kryejë vizitat mjekësore në Paris. Sipas raportimeve nga Franca, Torres udhëtoi mbrëmjen e së premtes drejt kryeqytetit francez.
Futbollisti po përjeton një verë të veçantë, pasi më 19 korrik shënoi golin vendimtar që i dha Spanjës titullin e dytë botëror. Gjatë Botërorit, Torres ishte treguar i rezervuar kur pyetej për të ardhmen e tij dhe nuk kishte dashur të zbulonte nëse do të rinovonte kontratën, do të qëndronte deri në fund të saj apo do të ndryshonte klub.
Në fund, zgjodhi këtë të fundit. Në Paris e presin me një kontratë pesëvjeçare.
Barcelona e pranon largimin e Torresit në një moment kur sulmuesi kishte fituar gjithnjë e më shumë rëndësi në skuadër. Sezonin e kaluar, spanjolli arriti t’i merrte shpesh vendin në formacion edhe një legjende të golit si Robert Leëandoëski. Ironikisht, pikërisht në verën kur polaku largohet nga Barcelona pas katër sezonesh dhe 120 golash, Torres vendos të largohet gjithashtu.
Në total, Ferran Torres do ta mbyllë aventurën e tij në Barcelonë me 207 ndeshje dhe 65 gola. Nën drejtimin e Hansi Flick, ai shënoi 40 gola në dy sezone, 19 në sezonin 2024-25 dhe 21 në sezonin 2025-26.
Megjithatë, roli i tij nuk ishte gjithmonë ai i një sulmuesi qendre. Në pjesën e parë të aventurës së tij në Barcelonë, Torres u aktivizua shpesh si anësor, përpara se të merrte më shumë përgjegjësi në zonën e rreptësisë.
Një nga arsyet që mund ta ketë shtyrë Torresin drejt largimit është konkurrenca për një vend në sulmin e Barcelonës. Me emrin e Julián Álvarez që po përmendet vazhdimisht si objektivi kryesor i klubit katalanas, Torres mund të ketë kuptuar se edhe largimi i Leëandoëskit nuk do t’i garantonte rolin kryesor që kërkonte.
Por nëse konkurrenca në Barcelonë ishte e fortë, në PSG situata nuk duket aspak më e lehtë. Në Paris, Torres do të gjejë fituesin aktual të “Topit të Artë”, Ousmane Dembélé, si dhe futbollistë të tjerë të nivelit të lartë si Khvicha Kvaratskhelia dhe Désiré Doué.
PSG ka afruar gjithashtu Maghnes Akliouche nga Monaco dhe është pranë transferimit të Mika Godts nga Ajax për rreth 55 milionë euro. Ndërkohë, në skuadër vazhdon të jetë edhe Bradley Barcola, për të cilin PSG kërkon rreth 150 milionë euro nga Liverpooli.
Kështu, Torres do të nisë një kapitull të ri në Paris, por për të fituar një vend titullari do të duhet të përballet me një konkurrencë edhe më të fortë. Pas disa sezoneve në “Camp Nou”, sulmuesi spanjoll tashmë është gati për sfidën e re në Francë.
Top Channel