Dinamo ka marrë një lajm të mirë nga FIFA përpara ndeshjeve të fazës së playoff-it në Conference League.

Klubit kryeqytetas i është zhbllokuar  merkatoja dhe tashmë është i lirë për të bërë përforcime dhe për të regjistruar futbollistë të rinj. Vetë Dinamo konfirmoi gjithçka përmes një komunikate zyrtare të publikuar në faqen e saj të internetit.

Komunikata e plotë e klubit të Dinamos

‘FC Dinamo City njofton se FIFA ka konfirmuar zyrtarisht heqjen e masës që kufizonte klubin në regjistrimin e lojtarëve të rinj. Pas përmbushjes së të gjitha procedurave dhe detyrimeve përkatëse, klubi është tashmë i lirë të regjistrojë lojtarë të rinj, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. 

Masa në fjalë lidhej ekskluzivisht me një detyrim administrativ me vlerë modeste dhe jo me problematika financiare të klubit apo detyrime të papaguara ndaj futbollistëve dhe stafit. Çështja, e cila nuk ishte trajtuar në kohën e duhur nga struktura përgjegjëse, tashmë është zgjidhur plotësisht dhe klubi ka marrë masat e nevojshme për të shmangur përsëritjen e situatave të tilla.

FC Dinamo City është një klub me financa të shëndosha, që garanton korrektësi dhe përgjegjshmëri maksimale në përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj futbollistëve, stafit dhe partnerëve të tij. Klubi do të vijojë të funksionojë mbi parimet e përgjegjshmërisë institucionale, transparencës dhe respektimit të plotë të rregulloreve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Me heqjen e kësaj mase, FC Dinamo City vijon normalisht aktivitetin në merkato dhe punën për forcimin e skuadrës, në funksion të objektivave të klubit për sezonin në vazhdim’.

Dinamo do të ketë si kundërshtar në raundin e playoffit skuadrën e Pafos dhe ndeshjet do të luhen në 20 dhe 27 gusht.

Top Channel