Do të vijojë karrierën te Atletico Madrid, Romero përshëndetet me tifozët e Tottenham: Zgjedh të kujtoj momentet e bukura, njerëzit që më qëndruan pranë

14/08/2026 22:40

Cristian Romero do të vijojë karrierën e tij te Atletico Madrid. Qendërmbrojtësi argjentinas kreu vizitat mjekësore me Los Colchoneros të cilët pranuan t’i paguajnë Tottenhamit 40 milionë euro, ndërkohë qe futbollisti do të nënshkruajë me klubin madrilen një kontratë deri në vitin 2031.

Cristian Romero përfitoi nga rasti që të përshëndesë Tottenhamin dhe tifozët e tij përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetet sociale.

‘Sot i them lamtumirë një vendi që ishte më shumë se një klub. Ishte shtëpia ime, sfida im dhe vendi ku unë me familjen timë ndërtuam një pjesë shumë të rëndësishme të jetëve tona-shkruante Romero në postimin e tij-largohem me zemrën plot me kujtime dhe krenari të madhe për gjithçka kemi jetuar dhe arritur së bashku’.

Cristian Romero foli shumë për etapën e tij në Londër në postimin e tij

‘Kur erdha, kisha një ëndërr të qartë; të shkruaja emrin në historinë e këtij klubi-vijon mbrojtësi argjentinas-e dija që mënyra e vetme ishte përmes punës së madhe, sakrificës për të arritur diçka që dukej shumë e vështirë për shumë kohë; të ngrinim sërish një trofe. Dhe ia dolëm. Rrugëtimi nuk ishte perfekt, por nuk dua që kjo të përkufizojë lamtumirën time. Zgjedh të kujtoj momentet e bukura, leksionet, njerëzit që më qëndruan pranë e sidomos dashurinë që kam marrë gjatë këtyre 5 viteve. Faleminderit të gjithëve në klub që ndanë këtë rrugëtim me mua. Trajnerë, shokët e skuadrës, personeli dhe çdo person tjetër që punon pas kuintave; të gjithë janë pjesë e historisë sime dhe kanë një vend në zemrën time’.

Cristian Romero e mbylli përshëndetjen e tij me një mesazh lamtumire posaçërisht për tifozët.

‘Faleminderit që më deshët, më respektuat dhe që më bëtë të ndihesha si një prej jush që nga dita e parë. Faleminderit për çdo përqafim, për çdo këngë, për çdo duartrokitje  dhe që keni qenë gjithnjë aty. E di që nuk kam qenë perfekt, por është një gjë që më jep paqe: dhashë gjithçka. Mbrojta këtë fanellë me krenari dhe me gjithë zemër’-përfundon mesazhin e tij Cristian Romero.

Top Channel