Barcelona është rikthyer zyrtarisht në rregullin 1:1 të Fair Play Financiar të La Ligës, një zhvillim që i lejon klubit katalanas të operojë normalisht në merkaton e verës.

Kjo do të thotë se klubi mund të riinvestojë të gjithë shumën e liruar nga shitja ose largimi i një lojtari në afrime të reja. Në sezonet e fundit, për shkak të kufizimeve financiare, Barcelona mund të përdorte vetëm një pjesë të të ardhurave nga transferimet dhe kursimet në paga.

Përmirësimi i situatës financiare ka ardhur falë disa faktorëve, mes tyre largimi i Robert Lewandowskit, i cili përfitonte një nga pagat më të larta në skuadër, si dhe shitjet e Ansu Fatit te Monaco për 11 milionë euro dhe Inaki Penës te Panathinaikos për 3 milionë euro.

Në rikthimin te rregulli 1:1 kanë ndikuar edhe të ardhurat e rritura nga Spotify Camp Nou, pas rikthimit të ekipit në stadium, si dhe fitimet nga zonat VIP, biletat dhe shitjet e produkteve zyrtare të klubit.

Lajmi vjen një ditë pas betimit të Joan Laportës për mandatin e tij të ri si president i Barcelonës, ndërsa presidenti i La Ligës, Javier Tebas, konfirmoi gjithashtu se klubi tashmë i përmbush kriteret e Fair Play Financiar.

Me situatën e re ekonomike, Barcelona synon të jetë aktive në merkato, ndërsa objektivi kryesor mbetet sulmuesi i Atlético Madridit, Julian Alvarez.

Top Channel