Real Madrid “gropë” në mesfushë/ Manchester City prish tregun me paratë e naftës, Mourinho duhet të sakrifikojë një yll për të gjetur zgjidhje

29/06/2026 09:37

Jose Mourinho është i kënaqur me skuadrën që ka aktualisht në dispozicion te Real Madridi dhe me mënyrën se si është ndërtuar grupi për sezonin e ri. Këtë e ka bërë të qartë në të gjitha takimet me drejtuesit e klubit. Megjithatë, trajneri portugez kërkon edhe një përforcim të rëndësishëm.

Problemi është financiar. Çdo objektiv që kërkon Mourinho në këtë fazë të merkatos kushton mbi 100 milionë euro, çka e bën operacionin tepër të vështirë. Tregu i transferimeve është tronditur sërish nga Premier League.

Manchester City ka rritur edhe më tej vlerat e futbollistëve elitë, pasi ka transferuar mesfushorin anglez Elliot Anderson nga Nottingham Forest për plot 150 milionë euro. Ky transferim ka vendosur një standard të ri në treg, duke bërë që çmimet e mesfushorëve të nivelit të lartë të arrijnë shifra marramendëse.

Në Madrid janë të vetëdijshëm se çdo përforcim cilësor në mesfushë do të kushtojë mbi 100 milionë euro, përveç rasteve kur klubi vendos të investojë te një talent i ri, një alternativë që nuk duket të jetë preferenca e Mourinhos.

Për këtë arsye, drejtuesit e klubit po shqyrtojnë edhe mundësinë e shitjes së ndonjë lojtari për të financuar afrimin e ri. Emra si Federico Valverde, Aurelien Tchouaméni dhe Eduardo Camavinga janë përmendur si futbollistë që mund të gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme në rast largimi.

Edhe situata e Nico Paz tregon se sa shumë është rritur vlera e lojtarëve. Marrëveshja me Comon e vlerëson talentin argjentinas në rreth 120 milionë euro, pasi klubi italian ka paguar 60 milionë euro për 50 për qind të kartonit të tij.

Gjatë këtyre ditëve, Mourinho po zhvillon biseda individuale me të gjithë futbollistët e Real Madridit për të kuptuar më mirë situatën e skuadrës dhe për të vendosur se cilët lojtarë mund të largohen gjatë kësaj vere. Ndërkohë, alternativat në merkato mbeten shumë të kushtueshme.

Ëest Ham e vlerëson Mateus Fernandes me 90 milionë euro, Chelsea kërkon 130 milionë për Enzo Fernandez, Lille nuk negocion për Carlos Baleba Bouaddi nën 90 milionë euro, ndërsa PSG nuk ka ndërmend të shesë Vitinha apo Joao Neves. Edhe Borussia Dortmund nuk po mendon largimin e Felix Nmecha.

Në Valdebebas vazhdojnë të besojnë se mesfusha aktuale e Real Madridit është ndër më të mirat në botë, por këtë verë drejtuesit janë të gatshëm të dëgjojnë kërkesat e Mourinhos. Në listën e emrave të monitoruar janë edhe Adam Wharton, Julian Smits dhe Rodri.

Top Channel