Botërori 2026/ Kylian Mbappe, lideri i Francës në fushë dhe jashtë saj

02/07/2026 12:58

Kylian Mbappe ka qenë lideri absolut i Francës prej shumë kohësh. Pas Katarit mori fronin dhe për 4 vite ka qenë lideri i vetëm i Bluve. Por me fillimin e Botërorit aktual, kapiteni i Francës është shfaqur krejt tjetër, më i lirë, jo i fokusuar për të marrë përsipër të gjithë ngarkesën e skuadrës, është kthyer të shfaqë versionin më të mirë të tij si brenda ashtu edhe jashtë fushave të lojës.

Sepse kur Mbappe është i lumtur, ka një rendiment shumë më të mirë. Në Botërorin e Amerikës së Veriut ka treguar se për të në rend të ditës është titulli i tretë botëror, Këpuca e Artë e turneut dhe të qenit shënuesi më i mirë në historinë e botërorëve. Deri tani ka shënuar 6 gola dhe ka dhënë 2 asiste dhe duket se nuk ka ndërmend të ndalet pasi po shfaqet si një lider ekzemplar në fushë, por edhe jashtë saj.

Nuk kanë qenë të pakta gjestet pozitive të Mbappe me shokët e skuadrës, që nga momenti kur Franca nisi grumbullimin përpara një muaji. Pa shkuar shumë larg dhe sipas RMC me të hyrë në atë ‘fluskën’ e botërorit, Mbappe iu dhuroi shokëve të skuadrës nga një palë kufje të kompeticionit. Një veprim që duket jodomëthënës, por që ka pasur impakt te lojtarët e tjerë. Ditë pas dite Mbappe ka monitoruar moralin dhe presionin te më të rinjtë duke u shfaqur si një lider shpirtëror për ata që janë debutues.

Ky aspekt i tij u pa edhe në ndeshjen ndaj Suedisë, kur pas golit të parë shkoi direkt të përqafojë trajnerin Deschamps që vinte pas humbjes së nënës së tij. Trajneri dhe futbollisti kanë një raport si babë e bur, respektohen dhe vlerësojnë njëri-tjetrin reciprokisht dhe kjo e bën më të lehtë Mbappenë që të shfaqet me një rendiment të lartë siç po shihet edhe në këtë turne.

Top Channel