Michael Olise ndez merkaton, ylli i Bayernit do të vendosë për të ardhmen pas Botërorit. Planifikon takim me drejtuesit

29/06/2026 15:52

Michael Olise është kthyer në një nga emrat më të përfolur të merkatos së verës. Pas një sezoni të shkëlqyer me Bayern Munich dhe paraqitjeve mbresëlënëse me Francën në Botëror, sulmuesi 24-vjeçar ka zgjuar interesin e disa prej klubeve më të mëdha të Europës.

Olise po kalon një moment fantastik në karrierë, duke qenë një nga lojtarët më të spikatur të kombëtares franceze, e cila deri tani ka impresionuar si me rezultatet ashtu edhe me lojën e zhvilluar në turne.

Sipas raportimeve, në garë për shërbimet e tij janë futur disa klube elitare si Real Madrid, Paris Saint-Germain dhe skuadra të mëdha të Premier League. Megjithatë, lojtari nuk do të marrë asnjë vendim para përfundimit të Botërorit.

Burime pranë futbollistit bëjnë me dije se Olise u ka komunikuar drejtuesve të Bayernit dëshirën për të zhvilluar një takim sapo të mbyllet turneu. Qëllimi i tij është të mësojë se cili është projekti i klubit bavarez dhe çfarë roli i rezervohet pas dy sezoneve në “Allianz Arena”.

24-vjeçari dëshiron të analizojë me qetësi të gjitha opsionet së bashku me stafin e tij, pasi statusi i tij ka ndryshuar ndjeshëm falë shpërthimit të madh që ka bërë muajt e fundit. Paraqitjet e tij e kanë vendosur mes futbollistëve më të kërkuar në Europë.

Top Channel