Brescia mund të marrë një frymëmarrje financiare falë një prej futbollistëve më të talentuar që ka nxjerrë nga akademia e saj.

Transferimi i mundshëm i Sandro Tonalit nga Newcastle te Tottenham për rreth 116 milionë euro pritet t’i sjellë klubit italian miliona euro përmes mekanizmit të solidaritetit të FIFA-s.

Mesfushori i kombëtares italiane është shumë pranë kalimit te Tottenham në një marrëveshje që, nëse finalizohet, do të jetë transferimi më i shtrenjtë në historinë e klubit londinez dhe njëkohësisht rekordi absolut për një futbollist italian.

Falë rregullores së FIFA-s për “kontributin e solidaritetit”, klubet që kanë formuar një lojtar në moshë të re përfitojnë një pjesë të tarifës së transferimit. Duke qenë se Tonali u rrit te Brescia deri në moshën 19-vjeçare, klubi pritet të arkëtojë rreth 3.5% të shumës totale, që përkthehet në afro 3-4 milionë euro.

Ky injeksion financiar vjen në një moment kritik për Brescian. Klubi historik ka riaktivizuar zyrtarisht numrin federal të regjistrimit, duke ruajtur vazhdimësinë sportive pas krizës së rëndë që çoi në rënien nga futbolli profesionist. Megjithatë, për momentin skuadra pritet ta nisë sezonin e ri nga Kategoria e Tretë, ndërsa shpreson në zhvillime të tjera administrative.

Presidenti Massimo Cellino e ka cilësuar riaktivizimin e klubit si një hap të domosdoshëm për të mbajtur gjallë historinë e Brescias.

“Brescia e vërtetë meriton të mbijetojë. Tifozët e vërtetë e dinë këtë,” deklaroi ai.

Top Channel