Te Roma nuk i besuan, por ndoshta ishte edhe momenti i gabuar. Për Luis Enrique, ishte pankina e parë e rëndësishme për të pas 3 sezonesh me Barcelona B. Klubi verdhekuq ishte në eksperiencën e tij të parë amerikane me James Pallottan dhe Thomas Di Benedetto në krye.

Drejtoria Teknike ishte në kontrollin e Franco Baldinit dhe ëalter Sabatinit. I ndërtuan një skuadër shumë heterogjene, shumë të rinovuar në krahasim me të kaluarën. Nuk zgjati shumë. Një raport konfliktual me Francesco Tottin shpesh i lënë në stol dhe disa rezultate zhgënjyese përshpejtuan ndarjen e spanjollit me klubin roman.

Por ishte e qartë se ai trajner shumë kërkues nuk ishte dokushdo. E pranoi edhe vetë Daniele De Rossi kur tregoi se një të dielë u dërgua në tribunë sepse shkoi me vonesë në një mbledhje teknike të skuadrës. ‘Kishte diçka më shumë dhe në atë rast kishte të drejtë ai’-tha De Rossi. 

Ndërkaq, Luis Enrique ka shkruar një pjesë të historisë. Në Budapest ai fitoi Ligën e Kampioneve për herë të tretë në karrierën e tij, duke hyrë në klubin ekzkluziv ku përfshihen emra të tillë sugjestionues; Pep Guardiola, Zinedine Zidane, Bob Paisley dhe përpara tyre ka vetëm 1 emër, Carlo Ancelotti që ka fituar 5 Liga Kampionesh. Por, pas një viti, Luis Enrique mund të shkëputet por edhe të barazojë Zinedine Zidane me 3 titujt radhazi në Champions League

Janë disa elementë që të bëjnë të parashikosh se Luis Enrique mund të përsërisë suksesin edhe një herë. Elementi i parë është pasuria e madhe teknike e PSG që ka nisur të dominojë Evropën në momentin që u vendos që gjithçka të bazohet të kualiteti dhe jo aparenca. Elementi i dytë është aftësia e trajnerit që të ruajë futbollistët gjatë sezonit. Në kampionat mund të kënaqesh të triumfosh pa pretenduar fitore të mëdha dhe në këtë mënyrë në Ligën e Kampioneve zbret në fushë me futbollistë në gjendjen më të mirë psikofizike të mundshme, pa mbingarkesa pune dhe stres. Ajo që habit është se 10 futbollistë të formacionit në finalen me Arsenalin ishin të njëjtët që kishin luajtue edhe në atë të 2025 ndaj Interit. Elementi i tretë është përulësia që është në skuadër, sidomos që nga momenti kur në të nuk ka superyje, por vetëm futbollistë të shkëlqyer

Për vite të tëra tregimet për Luis Enrique janë kushtëzuar nga imazhi i tragjedisë që e goditi, më e keqja që mund t’i ndodhë një njeriu, humbja e së bijës Xana e prekur nga një tumor në kocka. Por ai me shumë dinjitet, nuk u justifikua në asnjë moment as në ato më të errëtat. ‘E ndjej gjithnjë pranë meje’-tha shkurt Luis Enrique kur dikush u përpoq t’ia rihapte atë plagë.

Trajneri Luis Enrique ia del të dalë nga personi Luis Enrique dhe të hyjë në kokën e futbollistëve për t’iu fiksuar lojën shumë të kolauduar që do të vendoste  në vështirësi çdo kundërshtar jo me nisma individuale, por me rrjedhojën e lëvizjeve, me logjikën e spostimeve në fushë, me vetëdijen se mund të luftosh në nivelet maksimale.

Roma e 2011 ndoshta nuk ishte gati për një trajner me këto karakteristika. Ndoshta në përgjithësi, i gjithë futbolli italian nuk ishte. Jo rastësisht pas ndonjë rezultati negativ i kërkuan të italianizohet. Sigurisht që ai vazhdoi në rrugen e tij edhe me rrezikun e shkarkimit mbi vetë në disa raste. Tani pas 15 vitesh lind pyetja; futbolli italian aktual a do të ishte gati për Luis Enrique? Përgjigjja nuk është e lehtë. Sigurisht një trajner i tillë ka një pagë që vështirë se do të hynte në parametrat e klubeve të mëdhenj. Por pavarësisht kësaj, kushedi nëse tifozeria italiane do të pranonin zgjedhje si ajo e lënies mënjanë të Donnarummës për të besuar te Chevalier apo për të bërë në fushë ndonjë lojtar rezervë për të tentuar gjithçka për Ligën e Kampioneve. Luis Enrique është ky; zgjidh e merr. I fundit që e mori nuk është penduar aspak.

Top Channel