Rinovimi me kombëtaren argjentinase, Lionel Scaloni ende nuk ka marrë vendimin
Vëllezërit Pio dhe Sebastiano Esposito po jetojnë një ëndërr të përbashkët në grumbullimin e kombëtares italiane në Coverciano.
Të ftuar në emisionin “Azzurro Live”, ata ndanë emocionet e kësaj eksperience unike, prag-ndeshjet e Nations League dhe detaje nga marrëdhënia e tyre vëllazërore.
Sebastiano, i cili po përgatitet për debutimin e tij me fanellën e kaltër, theksoi rëndësinë e këtij momenti: “Trajneri na tha ta shijojmë, sepse të jesh në Kombëtare është tashmë diçka e jashtëzakonshme, por të jesh këtu me vëllain tënd është një emocion i shtuar”. Sulmuesi foli edhe për sfidën e parë kundër Belgjikës: “Stadiumi ‘Olimpico’ do të na ndihmojë. Të debutosh në shtëpi është gjithmonë një ndihmë, por pavarësisht nëse luajmë apo jo para tifozëve tanë, ne do të përpiqemi të marrim pikët e plota.”
Nga ana tjetër, Pio Esposito theksoi rëndësinë dhe intensitetin e ndeshjeve të Nations League: “Është diçka e re për të gjithë. Janë katër ndeshje radhazi, të gjitha të një niveli shumë të lartë. Mezi po presim, sepse për ne futbollistët sa më shumë të luajmë, aq më mirë është.” Për sa i përket përgatitjeve, Pio zbuloi se kanë marrë këshilla të vyera: “Mancini ka qenë gjithashtu një sulmues i madh dhe na ka dhënë sugjerime teknike në fushë për të na ndihmuar të performojmë më mirë.”
Duke folur për atmosferën në ekip, Sebastiano nënvizoi se të dy janë shumë kompetitivë dhe vlerësoi grupin aktual: “Është një gjë e bukur që ka shumë fytyra të reja. Ka gjithashtu shumë veteranë që e ndiejnë fanellën dhe që kanë vuajtur nga moskualifikimi në Botëror. Është përzierja e duhur për të rinisur gjithçka. Të përfaqësosh kombin tënd është gjithmonë diçka ndryshe, që nga grupmoshat e kupton rëndësinë e saj.”
Në fund, ata folën për lidhjen e tyre të veçantë jashtë fushës. “Jemi të dy me fat. Kemi pasur prindër të jashtëzakonshëm që kanë ndërtuar këtë lidhje të fortë dhe një dashuri të madhe mes nesh. Nuk ka pasur kurrë grindje, edhe pse kur ndonjëri humb ndonjë rast për gol, sigurisht që e ngacmojmë dhe bëjmë shaka me njëri-tjetrin,” përfundoi Sebastiano.
Top Channel