“Projekti Liria”/ Trump i hap rrugë operacionit të ri në Hormuz, mundëson kalim të sigurt për anijet e vogla që nuk janë të përfshira në konflikt
Inter është zyrtarisht kampion i Italisë. Zikaltërit kanë siguruar titullin e 21-të në historinë e klubit, duke kurorëzuar një sezon rilindjeje të plotë pas zhgënjimeve të mëdha të një viti më parë.
Ky është një sukses historik në disa drejtime: i pari si trajner për Cristian Chivu, i pari si president për Giuseppe Marotta dhe i pari nën drejtimin e pronësisë amerikane. Në Milano shpërthen festa, me një triumf që ka një shije të veçantë pas një sezoni të kaluar ku objektivat u humbën në momentet e fundit.
Në ndeshjen vendimtare ndaj Parmës, emocionet ishin të përziera. Nga njëra anë atmosfera festive në stadium dhe pritshmëria për titullin, nga ana tjetër kujdesi për të mos e marrë asgjë si të mirëqenë. Interit i mjaftonte edhe një pikë për të vulosur matematikisht gjithçka.
Në fushë, zikaltërit treguan vendosmëri, me një nga protagonistët kryesorë Nicolo Barella, i cili ishte kudo dhe udhëhoqi ekipin me energji dhe shpirt gare. Goli i avantazhit erdhi nga Marcus Thuram, që realizoi për ndeshjen e pestë radhazi, duke afruar edhe më shumë festën.
Në pjesën e dytë, pavarësisht rezistencës së Parmës, Interi ruajti kontrollin dhe gjeti golin e qetësisë me Henrikh Mkhitaryan për 2-0, duke mbyllur përfundimisht llogaritë. Në atë moment, gjithçka u bë e qartë: titulli ishte në duart e zikaltërve.
Për Cristian Chivu ky është një sukses i jashtëzakonshëm, pasi arrin të fitojë titullin në sezonin e tij të parë të plotë si trajner, duke hyrë në histori edhe si një nga të rrallët që e kanë fituar kampionatin si lojtar dhe si trajner me të njëjtin klub.
Interi rikthehet kështu në fronin e futbollit italian, duke hapur një kapitull të ri suksesi dhe duke lënë pas çdo dyshim të fillimsezonit. Festa në Milano sapo ka nisur.
Rezultati:
Inter 2-0 Parma
Thuram 45+1′, Mkhitaryan 80′
Ngjarjet Kryesore:
90+4′ Mbyllet ndeshja 2-0, Interi shpallet kampion i Italisë!
90′ Akordohen 3 minuta shtesë.
86’ Nesta Elphege shënon, por goli anulohet për pozicion jashtë loje.
80′ Goool Inter 2-0/ Topi përfundon në rrjetë! Lautaro Martinez shërben bukur për Henrikh Mkhitaryan (Inter), i cili nga shumë pranë portës e shtyn lehtësisht në rrjetë.
72’ Denzel Dumfries i shpëton mbrojtjes dhe arrin një top të harkuar brenda zonës, por në momentin e goditjes nuk tregohet i saktë dhe topi përfundon lart mbi traversë.
64′ Kevin Bonacina ndëshkon me karton të verdhë Piotr Zielinskin pas një ndërhyrje të parregullt.
46′ Nis pjesa e dytë!
45+3′ Mbyllet pjesa e parë!
45+1′ Goool Inter 1-0/ Topi përfundon në rrjetë! Marcus Thuram tregohet i saktë në finalizim. Piotr Zielinski jep një asist të shkëlqyer në thellësi, duke nxjerrë Thuram përballë portierit, dhe sulmuesi nuk gabon, duke dërguar topin nga afër në anën e majtë të portës. (Video)
45′ Akordohen 2 minuta shtesë.
30’ Dumfries lëshon një goditje shumë të fuqishme nga jashtë zone, pasi kontrollon topin dhe sheh portën. Tentativa ishte mjaft e rrezikshme, por për fatin e mbrojtjes topi devijohet nga një lojtar kundërshtar dhe largohet nga zona.
25’ Nicolo Barella kontrollon një top brenda zonës dhe godet menjëherë drejt portës, por tentativa e tij përplaset në traversë. Shumë pranë një supergoli, por pa fat.
10’ Një krosim i saktë në zonë gjen Denzel Dumfries, i cili kërcen më lart se mbrojtësit dhe godet me kokë, por topi kalon shumë pranë shtyllës së djathtë.
8’ Rast i artë për Parmën! Enrico Delprato pozicionohet mirë brenda zonës dhe godet me kokë pas një krosimi, por topi përfundon pak mbi traversë.
1′ Nis sfida në “San Siro”!
Formacionet Zyrtare:

Top Channel