Andrea Kimi Antonelli vazhdon të shkëlqejë në Botërorin e Formula 1 të këtij viti. Piloti italian i Mercedes triumfoi në Çmimin e Madh të Miamit duke shënuar fitoren e tretë radhazi në këtë sezon dhe përforcon pozitat e tij në krye të klasifikimit të përgjithshëm.

Nuk ishte një fitore e lehtë kjo e arritur në tokën amerikane për Kimi Antonellin që u desh të duelojë fort me rivalët e tij, fillimisht me Leclerc dhe më pas me Norris që nuk u dorëzua kurrë gjatë gjithë garës, me kampionin e botës që u pozicionua në vendin e dytë.

Në shkallën e fundit të podiumit u pozicionua piloti tjetër i McLaren Oscar Piastri, i renditur në vendin e tretë teksa arriti të parakalojë Leclerc duke përfituar edhe nga problemet e këtij të fundit. Në fakt piloti i Ferrarit u parakalua edhe nga George Russell që e mbylli garën në vendin e katërt dhe Max Verstappen i renditur në vendin e peste. Leclerc e mbylli garën e tij në vendin e 6 i ndjekur në të shtatin nga shoku i tij i skuadrës, Lewis Hamilton. Dhjetëshja më e mirë e garës plotësohet nga Colapinto, Sainz dhe Albon.

Në klasifikimin e përgjithshëm, Antonelli është në krye me 100 pikë i ndjekur në vendin e dytë nga George Russell me 80 pikë, ndërsa Leclerc është në vendin e tretë me 63 pikë. Ndalesa e radhës e Botërorit të Formula 1 është Çmimi i Madh i Kanadasë që do të jetë në fundjavën e 22-24 maj.

Top Channel