Trajner futbolli, profesioni që në Shqipëri është më i pasigurti në Europë, zgjat vetëm 150 ditë
Egnatia ndau sot zyrtarisht rrugët me Edlir Tetovën, teknikun që drejtoi rrogozhinasit për afërsisht tre vite e gjysmë dhe i bëri kampionë të padiskutueshëm të futbollit shqiptar.
Klubi konfirmoi ndarjen duke cituar gjendjen shëndetësore dhe stresin e vazhdueshëm të trajnerit durrsak si arsyen kryesore të vendimit, duke e falënderuar për kontributin e dhënë.
Tetova la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme: dy tituj kampioni në Abissnet Superiore, pjesëmarrje historike në kompeticionet europiane dhe pesë trofe gjithsej gjatë periudhës së tij në krye të skuadrës. Ishte ai që e transformoi Egnatian nga sfidues në dominues të padiskutueshëm të elitës shqiptare.
Ndërkohë, “Top Channel” mëson se në stolin e kampionëve pritet të ulet Nevil Dede, me zyrtarizimin që pritet të bëhet realitet në orët e mbrëmjes. 51-vjeçari është një nga trajnerët me eksperiencën më të pasur në futbollin shqiptar.

Dede ka drejtuar disa klube të Abissnet Superiores, duke përfshirë AF Elbasanin, me të cilin fitoi Kategorinë e Parë dhe siguroi ngjitjen, si dhe Bylisin, ku u emërua në shtator 2024 pas largimit të Emanuel Egbos.
Aventura e tij e fundit ishte te Ferizaj në Superligën e Kosovës, ku drejtoi ekipin për gjashtë muaj e gjysmë, 25 ndeshje gjithsej, me 10 fitore, 6 barazime dhe 9 humbje, para se klubi të ndërpriste bashkëpunimin me të më 19 prill.
Nëse zyrtarizohet siç pritet, Dede do të përballojë misionin më të madh të karrierës, mbrojtjen e titullit kampion dhe vazhdimin e aventurës europiane me kampionët e Shqipërisë.
Top Channel