Serie A/ 332 ndeshje me fanelën zikaltër, Berat Gjimshiti gjithnjë e më shumë në historinë e Atalantës
Sassuolo konfirmohet si “makthi” i Milanit në javën e 35-të të Serie A. Skuadra emiliane triumfoi 2-0 në “Mapei Stadium”, duke i shkaktuar një tjetër humbje të rëndë kuqezinjve.
Ndeshja nisi menjëherë me gol për vendasit, teksa pas vetëm 5 minutash Domenico Berardi realizoi me një goditje të saktë me të majtën, pas asistit të Laurienté. Milani u duk i çorientuar në fushë dhe portieri Maignan u detyrua të ndërhyjë me një pritje vendimtare ndaj Nzola për të shmangur golin e dytë.
Reagimi i kuqezinjve erdhi me një tentativë nga Leao, por në minutën e 24-të erdhi momenti që ndikoi ndjeshëm në fatin e takimit: Tomori u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë Milanin me 10 lojtarë.
Sassuolo administroi avantazhin dhe në nisje të pjesës së dytë goditi sërish. Në minutën e 47-të, pas një kombinimi të bukur me Thorstvedt, Laurienté dyfishoi shifrat me një goditje të fortë, duke mposhtur për herë të dytë Maignan.
Pavarësisht ndryshimeve, Milani nuk arriti të ndryshojë rrjedhën e lojës, ndërsa Sassuolo e menaxhoi me qetësi deri në fund për të marrë tre pikët.
Me këtë fitore, Sassuolo ngjitet në kuotën e 49 pikëve, duke barazuar Bolognan, ndërsa Milani mbetet në 67 pikë dhe rrezikon pozitat në garën për zonën Champions, me rivalët që mund të afrohen ndjeshëm.
Top Channel