Juventus nuk diti të shfrytëzojë as barazimin e Comos dhe as humbjen e Milanit për të bërë një hap më shumë drejt kualifikimit për në Ligën e Kampioneve të sezonit të ardhshëm.

Në Allianz Stadium, Zonja e Vjetër nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Veronën që ka rënë tashmë nga kategoria, një barazim që nuk i bën shumë punë skuadrës bardhezi

Verona shkaktoi surprizën në pjesën e parë teksa e mbylli atë me avantazhin 1-0. Boëie shfrytëzoi një gafë në mbrojtjen juventine në minutën e 34 për të dërguar topin në rrjetë ndërkohë që tifozët e pranishëm në stadium nuk i kursyen fërshëllimat ndaj skuadrës së drejtuar nga Luciano Spalletti

Në pjesën e dytë, Luciano Spalletti hodhi në fushë Dusan Vlahovic në vend të Khephren Thuram por Juventus vazhdonte të kishte vështirësi në fushën e lojës. Megjithatë në minutën e 62, bardhezinjtë arritën të kthenin ekuilibrin në rezultat pikërisht me golin e Dusan Vlahovic që ekzekutoi saktë një goditje dënimi nga 25 m dhe rezultati shkoi në 1-1.

Goli i shënuar i dha një shtysë Juventusit që me kalimin e minutave e spostoi lojën në gjysmëfushën e Veronës, por në fund shifrat nuk ndryshuan më dhe mbetën 1-1 me skuadrat që morën nga 1 pikë secila me Juventusin që humbi shansin për t’iu shkëputur akoma më shumë Comos në vendin e katërt.

Top Channel