Titulli numër 21 i Interit lindi nga nata më e dhimbshme, ajo e 31 majit të 2025 në Mynih, në finalen e Ligës së Kampioneve; Paris Saint Germain-Inter 5-0. Aty u krijua ndjesia e fundit të një cikli që u pasua me largimin e Simone Inzagnhit nga pankina dhe me nisjen e punës nga drejtuesit e klubit zikaltër për të planifikuar ndryshimet se plagët nuk janë të gjitha njësoj, disa lënë edhe trauma.

Zgjedhja e parë thelbësore; trajneri i ri. Nuk ishte diçka banale vënia bast te rumuni Cristian Chivu, heroi i Tripletës, ish luftëtari me kaskë. Kishte fituar një titull me Inter Primavera(2021) dhe shpëtoi Parmën, drejtimin e së cilës e mori në nëntor kur ishte në vendin e 18. Por gjithsesi ishte ende një trajner i ri me vetëm 13 ndeshje në Serie A. Kur mori 2 humbje në 3 ndeshjer e para dhe pasi pësoi një përmbysje në 10 minutat e fundit ndaj Juventusit, të gjithë patën ndjesinë se ishte një guxim i tepruar.

Në fakt Chivu arriti të fitojë besueshmërinë. Ishte inteligjent kur vendosi të mos e ndryshojë shumë makinerinë e lojës së Inzaghit që prodhoi një katërvjecar me shumë kënaqësi. Theksoi vertikalizimin e manovrës, por forca e vërtetë e Interit ishte edhe njëherë automatizmi e linjave të lojës që ishte mësuar përmendësh prej kohësh. Siç e konfirmon rekordi i sekuencave me më shumë se 10 pasime. Në asnjë skuadër tjetër, topi nuk qarkullon kaq rrjedhshëm, është e vështirë të shohësh diku tjetër një bashkëpunim si ai i Bastonit me Dimarcon në krahun e majtë.  Mosardhja e Ademola Lookman në një farë mënyrë ndihmoi me Chivun që evitoi riedukimin taktik me të cilin janë përballur Conte, Allegri, Spalletti dhe Gasperini.

Chivu mundi të besoje te skema 3-5-2, por e legjitimoi detyrën e tij me një udhëheqje të sigurt dhe një menaxhim solid të grupit edhe në momente kritike. Tregoi personalitet në komuniki, kurajoz dhe me vlera me disa rënie të falshme të koherencës dhe viktimizëm të ekzagjeruar në drejtim të kritikave. Në fund të rrugëtimit, Chivu mund të ndihet si një prej protagonistëve të parë të titullit dhe të tregojë disa medalje; trajneri i 5 në historinë e Interit që fitoi në vitin e debutimit(i fundit ishte Mourinho në 2008-2009); i pari për përqindjen e fitoreve(74%) duke lënë pas Conte me 68% , Inzaghi me 66% dhe Mourinho me 64%

PIO MANIA—  Pas trajnerit, duheshin zgjedhur futbollistët. Edhe këtu presidenti Beppe Marotta dhe grupi i tij i punës bënë mirë edhe pse dështuan në tentativën për të sjellë në Milano, Lookman dhe një futbollist krahu që driblon dhe që skuadrës i mungon prej kohësh. Por pika kyçe ishte një tjetër; në 2024-25, Inter shkoi deri në fund në thuajse të gjithë frontet, por nuk fitoi asgjë i prekur edhe nga lodhja për shkak të rotacioneve jo të besueshme sidomos në sulm. Nga 5 golat në kampionat të Taremit dhe Arnautovic, u kalua te 11 golat e Pio Esposito dhe 5 të Bonny që kanë ofruar sakrificë fizike dhe taktike, terma që nuk njiheshin nga paraardhësit e tyre. Freskia e Pios, surpriza më e bukur preku të gjithë. Petar Sucic,  që dhuroi finalen e Kupës së Italisë duke mbyllur përmbysjen në rezultat ndaj Comos në gjysmëfinalen e kthimit, dha kontributin e tij. Manuel Akanji, gjetje e shkëlqyer, solli personalitet, një fizik që Acerbi nuk mund ta garantonte me dhe një kontribut të dukshëm në vendosjen në fushë sic e tregon edhe një e dhënë; mbrojtësi me më shumë pasime pozitive në Serie A. Falë rotacioneve më të besueshme(dhe eliminimit përpara kohe në Ligën e Kampioneve), Chivu mundi të amortizojë më mirë dëmtimet dhe rënien e rendimentit të yjeve të tij.

YJET-Por janë emrat e zakonshëm që pushtojnë faqen e parë të triumfit duke nisur nga një Federico Dimarco monstruoz; rekord në Serie A për numrin e asisteve(17) që duke iu shtuar edhe 6 golat e shënuar e bëjnë që të kalojë edhe Lautaro Martinez përsa i përket kontributit në shënimin e golave me argjentinasin që është me 16 gola dhe 4 assist. Askush nuk ka mundur të kontribuojë në 23 gola, asnjë mbrojtës në historinë e Interit nuk e kaloi kuotën e 20 kontributeve. Dhe në këtë shpërthim ka të bejë edhe minutazhi që i dha Chivu. Lautaro Martinez, kapiteni, golashënuesi më i mirë i turneut me 16 gola, ishte edhe njëherë lideri i skuadrës edhe për aftësinë e tij për të lidhur lojën. Pa të, mesatarja e pikëve dhe golave të shënuar ra. Në historinë e Interit, vetëm Giuseppe Meazza dhe Istvan Nyers kanë regjistruar në 5 sezone statistika dyshifrore. Argjentinasi kaloi 128 golat e Altobellit dhe tani në 131 gola ka përpara vetëm Nyers(133), Lorenzi(138) dhe Meazza(197). Vetëm 2 lojtarë të huaj i kanë mbyllur 3 sezonet e parë te Interi me statistika dyshifrore si Thuram që e nisi fort dhe e mbylli akoma më fort, me një pauzë në mes. Ashtu si për Lautaron, ka një Inter me dhe pa Calhanoglu që mes të cilave ka shënuar edhe golin më të bukur, atë ndaj Romës. Mesfushori turk i frenuar nga dëmtinet drejtoi repartin me personalitet. Është mesfushori i Serie A me mesataren më të mirë të shënimit të golave; çdo 183 minuta. Shumë i çmuar në mungesë të tij, por edhe përkrah turkut, Zielinski u rrit shumë edhe në shënimin e golave; nga 2 në 6. Ai ndaj Juventusit në minutën e 90 bëri historinë e titullit. Madhështor, rikthimi i Nicolo Barella që kaloi vështirësi, por edhe në atë periudhë, nuk hoqi dorë nga lufta dhe garën. Një lider, ashtu sikurse edhe Bastoni që përjetoi sezonin më të vuajtur pas telasheve me Juventusin dhe Bosnjen, por sidomos në pjesën e parë siguroi kualitetet konstruktive dhe lidershipin.

MË TË FORTËT-e vetmja pikë e errët; ndeshjet direkte. përvec fitores rokamboleske ndaj Juventusit dhe barazimit me Napolin, Interi ka pasur disfata ndaj Milanit, Juventusit dhe Napolit. Nuk kishte ndodhur kurrë që Interi të fitonte titullin pa mposhtur skuadrat e vendit të dytë dhe të tretë. Një imperfeksion që nuk i heq asgjë të gjithë kuadrit. Interi ka sulmin më të mirë(81 gola) dhe numrin më të madh të ndeshjeve pa pësuar gol. Është në krye të klasifikimeve për; gjuajtjet në portë, prekjet në zonë, golat nga jashtë zone, brenda zone, me kokë, nga goditje standarde. Një garë në linjë mund të gjenerojë supriza, një garë me 38 etapa thotë vetëm të vërtetën; fituan më të fortët.

Top Channel