Fitoi titullin kampion dhe shkroi historinë me kualifikimin në Europë, trajneri ndan rrugët me klubin shqiptar

25/05/2026 17:54

Shkëndija ka konfirmuar zyrtarisht ndarjen me trajnerin Jeton Beqiri, pas përfundimit të kontratës në fund të sezonit 2025/2026.

Beqiri largohet nga pankina kuqezi pas një periudhe të suksesshme, ku arriti të shkruajë historinë me klubin tetovar.

Nën drejtimin e tij, Shkëndija fitoi titullin kampion në sezonin 2024/2025 dhe realizoi ecurinë më të mirë në arenën europiane, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën e ligës së UEFA Conference League dhe duke avancuar deri në fazën play-off.

Pas mbylljes së marrëveshjes, palët vendosën të mos vazhdojnë bashkëpunimin edhe për sezonin e ardhshëm.

Beqiri është një emër i njohur edhe në futbollin shqiptar. Ai më herët drejtoi Bylisin, me të cilin arriti të shpallej kampion në Kategoria e Parë. Gjithashtu, te Shkëndija kishte punuar edhe si ndihmës i trajnerit Shpëtim Duro.

Trofeu i vetëm i Beqirit si trajner kryesor mbetet titulli kampion me Shkëndijën, ndërsa në sezonin e fundit skuadra nuk arriti të triumfojë përballë FK Vardar.

Në reagimin zyrtar, klubi falënderoi trajnerin për kontributin e dhënë dhe i uroi suksese në vijim të karrierës së tij profesionale.

Top Channel