Sezoni 2025/2026 ka mbyllur siparin me verdikte drastike për dy gjigantët e futbollit italian, Milanin dhe Juventusin.

Pas një gare të ethshme deri në javën e fundit, të dyja skuadrat nuk kanë arritur të sigurojnë një vend në Champions League, duke u “zbritur” kështu në UEFA Europa League për sezonin e ardhshëm, 2026/2027.

Megjithëse zhgënjimi është i madh, sytë tashmë janë kthyer nga rrugëtimi evropian i vitit të ardhshëm. Edhe pse është ende herët, 12 klube kanë siguruar tashmë pjesëmarrjen në fazën e ligës dhe janë kundërshtarët e mundshëm që “Zonja e Vjetër” dhe “Djalli” mund të gjejnë përballë tyre.

Kush janë skuadrat e kualifikuara deri tani?

Përveç dyshes italiane, në listën e skuadrave që kanë prerë biletën për në Europa League spikasin emra të rëndësishëm, por edhe surpriza nga kampionatet evropiane:

  • Francë: Olimpik Marseja.
  • Gjermani: Bayer Leverkusen dhe Hoffenheim.
  • Angli: Bornmuth dhe Sandërlend.
  • Spanjë: Celta Vigo dhe Real Sociedad.
  • Holandë: AZ Alkmaar.
  • Portugali: Torreense (surpriza e madhe, klub i kategorisë së dytë që ka siguruar kualifikimin pas fitores në finalen e Kupës).

Ky edicion pritet të jetë një sfidë e vërtetë për Milanin dhe Juventusin, të cilat, nisur nga historia dhe forca e tyre, do të nisen si pretendente kryesore për të rrëmbyer trofeun e dytë më të rëndësishëm në Evropë. Megjithatë, futbolli modern nuk njeh më “dhurata” dhe ndeshjet ndaj ekipeve si Leverkusen apo Real Sociedad do të jenë provat e para të rëndësishme për të rifituar prestigjin e humbur në këtë sezon.

Top Channel