Kombëtarja spanjolle ka zyrtarizuar listën e lojtarëve të grumbulluar për Botërorin, por vëmendjen kryesore nuk e kanë marrë të ftuarit, por ata që kanë mbetur jashtë.

Trajneri ka marrë vendime drastike, duke lënë në shtëpi një “armatë” me yje që vlerësohen me qindra miliona euro në tregun e transferimeve. Mungesat nisin që nga porta, ku Kepa dhe Remiro nuk kanë gjetur vend, por goditja më e madhe vjen në mbrojtje dhe sulm. Emra si Dani Carvajal, Robin Le Normand dhe Dani Vivian – shtylla të mbrojtjes spanjolle në sukseset e fundit – nuk do të udhëtojnë me ekipin.

Mesfusha ka pësuar gjithashtu një spastrim total. Përveç Fermin Lopez, i cili humbet turneun për shkak të një dëmtimi fatkeq, jashtë kanë mbetur edhe magjistarët e kreativitetit si Isco dhe Aleix Garcia. Ndërkohë, reparti ofensiv është ai që dhemb më shumë për tifozët: Alvaro Morata, Samu Omorodion dhe Marco Asensio do ta ndjekin Botërorin nga divani. Ky vendim ka ndezur debate të ashpra në opinionin sportiv spanjoll, ku shumë e konsiderojnë këtë listë si një rrezik të madh për fatet e turneut.

Top Channel