‘Përse jo?’-Kështu u përgjigj Pep Guardiola pyetjes direkte për një të ardhme të mundshme në futbollin italian. Dhe kjo ishte në Trento në tetor të 2018 në ‘Festivalin e Sporteve’ të organizuara nga Gazzetta dello Sport dhe në skenë në atë kohë ishin edhe Carlo Ancelotti dhe Arrigo Sacchi.

Guardiola që prej 2 sezonesh ishte trajner i Manchester City, e la të hapur mundësinë për të punuar në futbollin e vendit të Apenineve dhe kujtoi se në jetën e tij nuk e kishte menduar se do të ulej në stolin e Bayernit të Mynihut duke mësuar gjermanishten.

Dhe gjatë këtyre 8 viteve mendimi i tij për Italinë nuk ka ndryshuar, futbolli i këtij vendi ka mbetur në mendjen dhe zemrën e trajnerit tashmë 55 vjeçar. Dhe kështu në 22 qershor, presidenti i ri i Federatës Italiane të Futbollit do të duhet që në axhendën e tij të ketë edhe një telefonatë me Guardiolën për të mësuar nëse ka dëshirë për të marrë drejtimin e kombëtares italiane; nuk ka siguri për përgjigjen por gjithsesi ia vlen të bëhet njëherë tentativa. 

Kandidatët për zgjedhjet në FIGC do te publikohen në 13 maj, Guardiola me Manchester City mund të jenë të impenjuar në finalen e FA Cup në 16 maj, ndërsa Premier League ul siparin në 24 maj. Që nga ai moment çdo ditë është e mirë për të nisur sondazhet për të. Nuk ka asnjë dyshim për faktin që Guardiola do të dëgjojë me kënaqësi ofertat që do t’i vijnë.

Por aktualisht Guardiola ka edhe një vit kontratë me Manchester City dhe në këto javë ka vetëm një mendim  në kokën e tij; fitimin e titullit të 7 në Premier League në 10 vjet, një numër i frikshëm ky, ndërkohë që është edhe gjysmëfinalja e FA Cup me Southampton që do të luhet të shtunën. Nëse do të fitojë si kampionatin ashtu edhe Kupën e Anglisë, Guardiola do ta çojë në 42 numrin e trofeve në 18 vite karrierë si trajner. Vetëm Sir Alex Ferguson ka fituar më shumë troe, 49, por këtë e ka arritur në 39 vite futbollistike. Guardiola ka liri totale për të zgjedhur të ardhmen e tij, nëse do të qëndrojë apo dot t’i japë lamtumirën Manchester City, klubi anglez i detyrohet gjithçka trajnerit katalanas dhe do të pranojë vendimin e tij 

Që nga fillimi i sezonit janë të shumtë në Katalonjë dhe në Angli që flasin me siguri për largimin e Pep Guardiolës nga pankina e Manchester City dhe në mënyrë paradoksale triumfi me përmbysje i kampionatit kundrejt Arsenalit të nxënësit të tij, Mikel Arteta, mund t’i japë një shtysë më shumë vendimit të tij për të mbyllur aventurën me Citizens. Guardiola nuk ka dhënë asnjë indice dhe nuk ka marrë ende një vendim, kjo është e sigurt.  Një tjetër gjë e sigurt është se në rast largimi nga Manchester City, objektivi i parë për trajnerin katalanas është të ulë ritmin e punës. Pep është më pak i stresuar se një vit më parë kur në mendjen e tij kërkonte zgjidhje që dukeshin të pagjendshme. Dhe nëse nuk është e thënë që të qëndrojë 1 vit pushim sic bëri kur u largua nga Barcelona në 2012, ideja për të marre drejtimin e një kombëtareje është në mendjen e tij prej kohësh. Do të ishte një kompromis i mirë mes adrenalisës së klubit dhe kloroformës së pauzës. Objektivi i parë i tij ishte Anglia, por Thomas Tuchel e rinovoi kontratën me Tre Luanët deri në 2028 dhe Ancelotti është pranë rinovimit me Brazilin deri në 2030.

Ditën e hënë në Madrid me rastin e çmimeve Laureus, Leonardo Bonucci deklaroi se nëse vërtet ka një dëshirë që në futbollin italian të rinisë gjithçka nga e para, ai do ta fillonte nga Pep Guardiola sepse një trajner si ai do të thotë një ndryshim total në krahasim me atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Por ai shtoi se kjo është e vështirë edhe pse të ëndërrosh nuk të kushton gjë.

Dhe Bonucci ka të drejtë. Në fakt Guardiola e ka Italinë në zemës, ashtu sikurse ai që e ka shoqëruar prej 18 vitesh, krahu i djathtë, miku dhe këshilluesi Manel Estiarte që në Itali ka triumfuar duke luajtur vaterpolo për 12 sezone në 1986-1999. Madje në këtë pikë duket se as ana financiare nuk do të jetë problem pasi afeksioni i katalanasit për vendin e Apenineve duket se ka në peshë më të madhe. Pra, nëse Guardiola do të pranojë ofertën e FIGC, do të vijë jo për paratë, por për pasion. Pep është ndjerë mire në Brescia e Romë, ka punuar si trajner në Spanjë, Gjermani dhe Angli, kështu që i mungon Italia. Ai e flet gjuhën italiane dhe ka një konsideratë të lartë për Italinë dhe futbolli i këtij vendi kohët e fundit ka rënë në depresion. Hipotezat janë të shumta, po ashtu edhe të panjohurat, por një gjë është e sigurt; dashuria e Guardiolës për Italinë. Mbetet për t’u parë nëse kjo do të mjaftojë që ai të pranojë të marrë drejtimin e kombëtares italiane

Top Channel