Politika futet në fushë/ Vendimi drastik i Uashingtonit që po trondit FIFA-n para Botërorit 2026
Sulmuesi i ekipit kombëtar të Irakut, Aymen Hussein, është ndaluar dhe është marrë në pyetje për gati shtatë orë në aeroportin “O’Hare” të Çikagos.
Ngjarja ka ndodhur të shtunën në mëngjes, sapo skuadra ka mbërritur në territorin amerikan, siç bën të ditur një zyrtar sportiv irakian për mediat ndërkombëtare.
Gjatë kohës që mbahej i izoluar nga autoritetet, yllit të sulmit irakian i është kontrolluar imtësisht edhe telefoni celular. Edhe pse Husseinit iu lejua përfundimisht hyrja në SHBA pas marrjes në pyetje, i njëjti fat nuk i u rezervua fotografit të ekipit, Talal Salah. Ky i fundit u mbajt i bllokuar për më shumë se 10 orë dhe, pas kontrolleve të ngjashme, iu refuzua zyrtarisht hyrja në Shtetet e Bashkuara, duke u dëbuar.
Deri më tani, as Federata Irakiane e Futbollit dhe as vetë futbollisti nuk kanë bërë ndonjë deklaratë të menjëhershme për mediat, ndërkohë që Shërbimi Amerikan i Emigracionit dhe Doganave (ICE) nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Hussein, 30 vjeç, është figura kyçe e repartit ofensiv të Irakut. Ishte pikërisht goli i tij ai që siguroi kualifikimin historik të Irakut në Kupën e Botës, duke shënuar rikthimin e këtij vendi në turneun më të madh planetar pas plot 40 vitesh mungesë. Iraku do të garojë në Grupin I të këtij Botërori, ku do të ketë përballë Francën, Senegalin dhe Norvegjinë.
Top Channel