Liverpool ka zyrtarizuar emërimin e Andoni Iraola si trajnerin e ri të skuadrës. Tekniku 43-vjeçar zëvendëson Arne Slot në stolin e “The Reds”, duke firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin nga Anfield.

Iraola transferohet në Merseyside pas tre sezonesh të suksesshme në drejtimin e Bournemouth. Trajneri spanjoll e mbylli aventurën e tij në bregdetin jugor duke udhëhequr Bournemouth drejt vendit të gjashtë në kampionat, renditja më e mirë në historinë e klubit në elitën e futbollit anglez, që i siguroi gjithashtu pjesëmarrjen në sezonin e ardhshëm të UEFA Europa League.

Emri i Iraolës u bë menjëherë favoriti kryesor për të marrë drejtimin e Liverpoolit pasi klubi vendosi të shkarkonte Arne Slot pas një sezoni zhgënjyes. Para se të pranonte ofertën e Liverpoolit, përfaqësuesit e trajnerit spanjoll zhvilluan bisedime edhe me Crystal Palace FC dhe Bayer 04 Leverkusen.

I njohur për stilin e tij dinamik dhe agresiv të lojës, Iraola pritet të sjellë një frymë të re te Liverpooli. Një pjesë e konsiderueshme e tifozëve kishte shprehur pakënaqësi me mënyrën e lojës së ekipit nën drejtimin e Slot, veçanërisht pas dështimit për të mbrojtur titullin në Premier League.

Tashmë, drejtuesit e Liverpoolit i kanë besuar projektin e ri teknikut spanjoll, me synimin për ta rikthyer skuadrën në garën për trofetë më të rëndësishëm në Angli dhe Evropë.

Top Channel