Merkatoja e verës sapo ka nisur, por zhvillimet e para po tërheqin menjëherë vëmendjen e tifozëve. Një nga emrat më të përfolur të ditëve të fundit është ai i Marcus Rashford, e ardhmja e të cilit vazhdon të mbetet e paqartë.

Sipas raportimeve të Daily Mail në Angli, Barcelona ka bërë një ofertë prej 15 milionë eurosh për të siguruar kartonin e sulmuesit anglez, por kjo ofertë është refuzuar nga Manchester United. Shuma e propozuar nga klubi katalanas përfaqëson vetëm gjysmën e klauzolës së blerjes prej 30 milionë eurosh, e cila ishte rënë dakord në fund të periudhës së huazimit të lojtarit.

Raporti thekson se Rashford është i interesuar të vazhdojë aventurën e tij te Barcelona, ndërsa drejtuesit katalanas po kërkojnë një marrëveshje më të favorshme financiare me klubin anglez.

Megjithatë, koha nuk është në favor të Barcelonës. Sipas mediave britanike, afati për aktivizimin e klauzolës prej 30 milionë eurosh skadon më 15 qershor, çka do të thotë se katalanasit duhet të përshpejtojnë negociatat nëse dëshirojnë të sigurojnë qëndrimin e Rashford në skuadër edhe për sezonin e ardhshëm.

Mbetet të shihet nëse palët do të arrijnë një kompromis në ditët në vijim, ndërsa saga e transferimit të sulmuesit anglez pritet të jetë një nga historitë më të ndjekura të kësaj merkatoje verore.

Top Channel