50 ditë nga Botërori, 5 pikat që ngrenë dyshime të mëdha në vendet organizatore të aktivitetit
Portieri i bardhekaltërve pret katër penallti dhe emocionohet pas ndeshjes.
Një mrekulli në minutat shtesë, falë një goditjeje të fuqishme dhe preçize me kokë nga Scamacca (që barazoi shifrat) dhe katër pritjeve fantastike të penalltive: Lazio mposht Atalantën dhe kualifikohet në finalen e Kupës së Italisë. Ky sukses mban firmën e Edoardo Mottas, portierit të lindur në vitin 2005, i cili zëvendësoi në portë të dëmtuarin Provedel.
Motta kishte dhënë një kontribut vendimtar edhe në kampionat, duke pritur një penallti të Orsolinit në ndeshjen kundër Bolonjës, por mbrëmë ai shfaqi reflekse, forcë dhe qetësi prej një fenomeni. Një lojtar i konfirmuar tashmë. Performanca e tij ishte spektakolare në fundin e një ndeshjeje që dukej sikur nuk do të mbaronte kurrë. Edhe pse Raspadori shënoi penalltinë e parë për bergamaskët, më pas nisi “shfaqja” e Mottas: Scamacca, Zappacosta, Pasalic dhe në fund De Ketelaere, herë në të djathtë e herë në të majtë, u ndalën të gjithë nga një Motta i shkëlqyer.
I akullt në fushë, por mjaft emocional dhe i prekur pas fitores, portieri shpërtheu në lot ndërsa gazetarja Monica Vanali po e intervistonte: “Sekrete? Kam diçka të shkruar në doreza, por nuk ka të bëjë me penalltitë dhe nuk mund ta zbuloj se çfarë është…”, nisi rrëfimin e tij portieri i Lazios. “Shokët e ekipit më ndihmojnë shumë, veçanërisht ata më të rriturit, të cilët më japin shumë këshilla. Tani na pret finalja; le të shpresojmë ta mbyllim përpara penalltive, e rëndësishme është të fitojmë pa u zgjatur shumë.”
Në fund, kur erdhi çasti i përshëndetjes, lotët nuk u mbajtën më: “Më vjen keq, më falni, por nuk jam mësuar me këtë vëmendje.” Një moment njerëzor që tregon thjeshtësinë e një djaloshi që, nëse vazhdon me këtë ritëm, do t’i duhet të mësohet shpejt me praninë e mikrofonave dhe kamerave.
Top Channel