“Izraeli skuadër teknike, e vështirë t’i ushtroje presion”/ E nisi me humbje aventurën te Shqipëria, Maran për DigitAlb: S’jam i lumtur me rezultatin, por…
Elseid Hysaj ishte një nga protagonistët e ndeshjes miqësore mes Shqipërisë dhe Izraelit, jo vetëm për paraqitjen në fushë, por edhe për incidentin që pasoi golin e skuadrës mike.
Pas përfundimit të takimit, mbrojtësi kuqezi foli për angazhimin e tij me fanellën e Kombëtares, duke theksuar se vazhdon të japë maksimumin sa herë që përfaqëson Shqipërinë.
“Kur luaj për Kombëtaren, objektivi im është të jap gjithçka në fushë deri në momentin që kam forcë. Kjo është mënyra ime e të vepruarit dhe kështu do të vazhdoj”, deklaroi Hysaj për DigitAlb.
Futbollisti komentoi edhe nisjen e epokës së re me trajnerin Rolando Maran, duke theksuar se skuadra ka nevojë për kohë për t’u përshtatur me idetë e reja taktike.
“Trajneri ka sjellë ide të reja dhe kemi punuar vetëm pak ditë së bashku. Ka një qasje më sulmuese dhe besoj se me kalimin e kohës do të përmirësohemi edhe më shumë”, u shpreh ai.
Duke u ndalur te përplasja me autorin e golit të Izraelit, Hysaj pranoi se reagimi i tij ishte emocional dhe kërkoi ndjesë për episodin.
“Nuk më pëlqen të jem pjesë e skenave të tilla. Por kur pashë gjestin ndaj tifozëve tanë, reagova në çast. Kërkoj falje, sepse janë situata që ndodhin në futboll. E rëndësishme është që gjithçka përfundoi pa pasoja”, tha mbrojtësi shqiptar.
Hysaj foli edhe për të ardhmen e tij në nivel klubesh, duke konfirmuar se aktualisht është pa kontratë dhe po shqyrton opsionet e mundshme për sezonin e ardhshëm.
“Jam në bisedime me menaxherin tim. Po vlerësojmë alternativat më të mira dhe në momentin e duhur do të merret një vendim për të ardhmen”, përfundoi ai.
Top Channel