E nisi me humbje në krye të Shqipërisë, Maran tani kërkon të ndjekë hapat e De Biasit dhe Sylvinhos

03/06/2026 22:21

Epoka e Rolando Maran në krye të Kombëtares shqiptare ka nisur me një humbje. Kuqezinjtë u mposhtën 0-1 nga Izraeli në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, me Oscar Gloukh që realizoi golin vendimtar në minutën e 73-të.

Megjithatë, rezultati i debutimit nuk është domosdoshmërisht tregues i rrugëtimit që mund të pasojë. Dy prej trajnerëve më të suksesshëm në historinë e Kombëtares shqiptare e nisën po ashtu aventurën e tyre me humbje.

I pari ishte Xhani De Biazi, i cili në shkurt të vitit 2012 humbi 2-1 ndaj Gjeorgjisë në ndeshjen e tij të parë në stolin kuqezi. Pavarësisht startit jo ideal, italiani shkroi historinë duke kualifikuar për herë të parë Shqipërinë në një Kampionat Europian.

Një skenar i ngjashëm u përsërit edhe me Sylvinhon. Trajneri brazilian debutoi në mars të vitit 2023 me një humbje minimale 1-0 në transfertë ndaj Polonisë. Më pas ai drejtoi Kombëtaren drejt një tjetër pjesëmarrjeje në Europian dhe arriti ta çojë skuadrën edhe në fazën “play-off” të Kupës së Botës.

Për këtë arsye, humbja ndaj Izraelit mbetet vetëm hapi i parë i Maran në krye të Shqipërisë, me trajnerin italian që do të kërkojë reagimin e ekipit në ndeshjet e ardhshme.

Top Channel