Këtë të shtunë u zhvilluan 4 ndeshje të javës së 32 të Kategorisë Superiore, rezultatet e së cilës nuk shënuan shumë ndryshime në klasifikim.

Në Vorë, Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0, një rezultat ky që gjithsesi e mban skuadrën e Edi Martinit në krye të klasifikimit me shkodranët që janë të parët që kanë prerë biletën për në fazën ‘Final Four’.

Në vendin e dytë është pikërisht Elbasani që i është afruar ndjeshëm Vllaznisë teksa me fitoren në transfertë ndaj Teutës me rezultatin 2-1 shkon në 59 pikë me verdheblutë që praktikisht e shohin veten në Final Four. Egnatia mbetet në vendin e tretë pavarësisht humbjes me Flamurtarin me 54 pikë duke mbajtur ende një diferencë sigurie me Dinamon që pas barazimit 1-1 në derbin me tiranën është e katërt me 45 pikë. Por skuadra e Ilir Dajës rrezikon ta humbasë këtë pozicion kundrejt Partizanit që do të luajë këtë të dielë ndaj Bylisit.

Teuta duket e qetë në vendin e 6 me 38 pikë e ndjekur nga Vora në të shtatin duke e lënë për momentin zonën e rënies nga kategoria. Dhe në fakt lufta për mbijetesë po bëhet akoma më e nxehtë. Flamurtari falë fitores së çmuar në Rrogozhinë me Egnatian shkon në 29 pikë. Vlonjatët janë ende në vend të fundit por është shumë pranë Vorës, Tiranës dhe Bylisit, kështu që javët e mbetura në Kategorinë Superiore pritet të jenë akoma më të ethshme.

 

Top Channel