Nis puna për organizimin e Kampionatit Europian për të rinj, FSHF miraton tre fusha për Partizanin dhe tapet të ri për “Air Albania”-n

21/04/2026 10:49

Në vitin e ardhshëm në vendin tonë do të zhvillohet Kampionati Europian i 21-vjeçarëve dhe FSHF ka nisur zyrtarisht punën për të siguruar infrastrukturën më optimale të mundshme për këtë event, që mund të jetë një provë gjenerale për ngjarje edhe më të mëdha në të ardhmen.

Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv janë miratuar katër fusha të reja, tre për Partizanin dhe ndërrimi i tapetit të stadiumit “Air Albania”, ku do të zhvillohet finalja e madhe e kampionatit, që siç dihet është në bashkëpunim me Federatën e Serbisë dhe disa ndeshje do të zhvillohen edhe atje.

Komiteti miratoi kërkesën e Komisionit të Infrastrukturës për ndryshimin e tapetit të stadiumit “Air Albania” , si dhe ndërhyrjen në bazament, me qëllim përmbushjen e standardeve më të larta të kërkuara nga UEFA për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe finaleve të këtij kompeticioni.

Fusha e “Air Albania”-s

Në të njëjtën linjë, Komiteti miratoi edhe projektin e paraqitur nga FK Partizani, që parashikon zëvendësimin e tapetit ekzistues të stadiumit, si dhe ndërtimin e dy fushave të reja stërvitore, në funksion të këtij eventi madhor. Në bashkëpunim me klubin, FSHF do të realizojë investimin për të transformuar tapetin e fushës nga bar artificial në bar natyral, duke garantuar kushte optimale loje.

Gjithashtu, një prej dy fushave të reja në kompleksin Partizani do të jetë me bar natyral, e dedikuar për seancat stërvitore të skuadrave pjesëmarrëse gjatë turneut dhe tjetra me tapet artificial. Rikujtojmë që pak muaj më parë FSHF-ja me vendim të Komitetit Ekzekutiv mbuloi shpenzimet e Partizanit për hotelin e ri të klubit.

Gjendja aktuale e stadiumit “Arena e Demave”

Këto investime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe në rritjen e kapaciteteve infrastrukturore të vendit, duke konfirmuar angazhimin e FSHF-së për organizimin me sukses të finaleve të Europianit U-21 2027.

Punimet pritet të nisin së shpejti, me objektivin për përfundimin në kohë dhe në përputhje të plotë me kërkesat e UEFA.

 

Top Channel