Zyrtare/ Edlir Tetova nuk është më trajner i Egnatias, 43-vjeçari konfirmon ‘divorcin’ me rrogozhinasit: Iki në fund të sezonit
Egnatia do te jetë pa trajner së shpejti pas vendimit për tu larguar nga ana e Tetovës dhe klubi ka nisur menjëherë punën për të gjetur një pasues.
Tregu vendas është mjaft i limituar sa i përket trajnerëve të afirmuar dhe kjo e bën të vështirë kërkimin nga ana e rrogozhinasve.
Gjithsesi, Egnatia duket se në këtë moment nuk ka në plan të mendojë për një trajner të huaj dhe ka hedhur sytë te brezi i ri që po lulëzon në trajningun shqiptar. “Top Channel” mëson ekskluzivisht se Ditmar Bicaj është kandidati kryesor dhe potencial për të pasuar teknikun aktual, pavarësisht kohës kur do të vendosë të largohet.
Për Bicajn kjo do të ishte eksperienca e parë në Superiore, pasi më parë ka drejtuar Burrelin dhe Lushnjen ne Kategorinë e Parë. Pavarësisht kësaj, Bicaj ka dhënë gjithnjë sinjalet e një trajneri që mund të bëjë hapin e madh nëse krijohen kushtet e duhura.
Sa i përket Tetovës, shanset janë që në sezonin e ri, kur edhe dënimi i tij nga Komisioni i Disiplinës të ketë përfunduar, Teuta të jetë stacioni i radhës në karrierë. Gjithçka do të shihet në ditët në vijim, pasi siç dihet, në të tilla lëvizje situatat ndryshojnë shumë shpejt.
Top Channel